Shtohen të infektuarit me Covid-19, ndër ta edhe fëmijë

Shtohen të infektuarit me Covid-19, ndër ta edhe fëmijë

07:53, 21/09/2023

Prej nisjes së muajitsShtator sipas mjekëve të shërbimit ambulator dhe klinikave private në vend janë shtuar rastet e të prekurve me Covid-19.

Mjekët e shërbimit ambulator si të familjes dhe pediatër pohuan se për të dyja kategoritë e të prekurve me Covid-19 simptomat zgjasin nga 4 deri në 5 ditë. Situata po përballohet vetëm nga shërbimi ambulator dhe nuk ka raste hospitalizimi.

Mjeket nënvizojnë se shtimi i rasteve të prekur me Covid-19 është ndikuar nga fluksi i lartë i turistëve dhe emigrantëve përgjatë muajve të verës

Drejtues të rrjetit të laboratorëve “Intermedica” pohuan për Monitor se prej së hënës së parë të muajit shtator ka shtim të prezencës së rasteve pozitive me Covid -19 të konfirmuar pas testimeve. Sipas tyre ndryshe nga periudha e muajve të verës ku nuk ka pasur raste pozitive, për muajin shtator numri i testimeve me rezultate pozitive arrin 5 deri maksimumi 10 raste në ditë.

Edhe mjekja e familjes në Qendrën Shëndetësore të Kamzës Elizabeta Musta tha për Monitor se prej fillimit të muajit shtator ka shtim të rasteve pozitive të prekurve me Covid-19, me dy forma atë të prekjes së rrugëve të sipërme respiratore dhe me simptoma gastroenterite. Simptomat te të rriturit sipas saj zgjasin 4 deri në 5 ditë.

Mjekja Musta nënvizon se situata nuk shfaqet e rënduar dhe se deri tani asnjë nga rastet e konfirmuara nëpërmjet testimit rapid nuk i është nevojitur hospitalizimi.

Shtim të rasteve me Covid-19 sipas mjekëve pediatër prej datës 20 gusht ka pasur edhe te fëmijët.

Mjekja pediatre Sonila Brati pranë Qendrës Shëndetësore nr.2 pohon për Monitor se përveç shtimit të rasteve me virozë, prej fundit të muajit gusht ka pasur shtim të rasteve te fëmijët e infektuar me Covid-19. Sipas mjekes rastet me Covid-19 tek fëmijët nuk kanë qenë prezentë gjatë muajve të verës, ndryshe nga virozat të cilët janë shfaqur në numër të lartë.

Doktoreshë Brati shton se situata nuk shfaqet e rënduar dhe asnjë nga fëmijët e prekur nuk ka pasur nevojë shtrimi në spital.

“Fëmijët e prekur me Covid-19 të konfirmuar nëpërmjet testit të shpejtë apo edhe analizave të tjera kur është e nevojshme, shfaqin simptoma që nga temperatura e lartë 39 deri 40 gradë, lodhje dhe dobësi të theksuar. Por 3 deri në 5 ditë pas shfaqjes së simptomave fëmijët negativizohen dhe nuk është e nevojshme shtrimi i tyre në spital”, pohon ajo.

Ndërsa edukatorë nga çerdhet shtetërore pohojnë se në këtë periudhë është konstatuar një mungesë deri në 35% të fëmijëve në çerdhe, për shkak të virozave të stinës. Sipas tyre deri tani në çerdhe nuk janë paraqitur fëmijë të sëmurë me Covid-19.

Mjekët pohojnë se gjatë muajve të verës nuk janë përballur me pacientë të infektuar me Covid-19, përveç muajit Maj 2023 ku pati një shtim të prezencës së rasteve me infektim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sakaq ka nisur përditësimet 4 javore me të dhënat e të infektuarave nga Covid-19 në botë. Krahasuar me muajt e mëparshme të 2023 trendi i infektimeve globale është në rritje, ndërsa numri i vdekjeve në rënie.

Në 28 ditët e fundit (periudha nga 31 korrik deri më 27 gusht 2023), OBSH raporton se ka pasur mbi 1,4 milionë raste të reja me Covid-19 dhe mbi 1,800 vdekje. Krahasuar me 28 ditët e mëparshme infektimet u rritën 38%, ndërsa numri i vdekjeve u përgjysmua. Të dhënat e përditësuara do të publikohen nga OBSH më 28 Tetor.

Sipas OBSH që në nisje të pandemisë dhe deri më 27 gushti 2023, janë mbi 770 milionë raste të konfirmuara me Covid -19 dhe mbi 6,9 milionë në të gjithë botën. /D.Azo/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco