'Ofensiva diplomatike e Kurtit një sukses, situata po çtensionohet, kurse ndërhyrja e Ramës shkon në drejtim të kundërt'

22:34, 08/06/2023

Analisti Çim Peka ka shtruar disa herë një pyetje në studion e debatit të tij mbrëmjen e së enjtes në SYRI TV midis analistëve se çfarë “gabimi” paska bërë Albin Kurti që po gjykohet dhe dënohet kaq shumë këto ditë?!

Ndërmjet të ftuarve në “Çim Peka Live”, analisti Sokol Shameti, jo vetëm që i vlerësoi dhe i mbështeti të gjitha hapat që ka ndjekur deri më sot Kryeministri i Kosovës, por theksoi se ajo që po ndodh është luftë Kosovë-Amerikë në letra, shpallur për të disatën herë nga klasa politike dhe mediatike në vend.

“Ne kemi një klasë politike dhe një klasë mediatike në Kosovë, - tha ai, -  që ka të paktën një vit, po që kur ka ardhur Albin Kurti në Kosovë, që e kanë shkaktuar nja pesë - gjashtë herë luftën  Kosovë - Amerikë në letra.”

Kjo ndodh, vazhdoi Shameti,  “ndërkohë që Ministrja e Jashtme e Kosovës është ftuar nga Blinken, ndërkohë qeveria e Kosovës për ta shpërndarë gjithë këtë mjegull ka të paktën një javë, është një ofensivë diplomatike që unë e shikoj shumë të suksesshme - Albin Kurti ka qenë në të gjitha mediat ndërkombëtare. Ai po e sqaron, realist është në një suazë sqarimi të pozicionit të Kosovës në mënyrë shumë të suksesshme. Situata në terren po depërshkallëzohet. Ajo që po përshkallëzohet është irritimi i gjithë këtyre njerëzve që e konsiderojnë si disfatë të tmerrshme dhe unë e shikoj ndërhyrjen e Ramës si pjesë e këtij përshkallëzimi që shkon në drejtim të kundërt me atë që po ndodh realisht në terren. Kjo është e gjitha.”

Ndiqni një pjesë nga debati në studion e Çim Peka Live:

Peka: Çfarë gabimi ka bërë Albin Kurti? Se këtë s’po e kuptojmë. Ndërkohë që flitet për “gabim” të Kurtit se ka lejuar të zgjedhurit lokalë të shkojnë në zyrat e tyre, z. Rama nuk futet për ta ndihmuar tek kjo pjesë, por shkon dhe propozon një draft për Asociacionin dhe e zhvendos debatin nga futja në zyrë me ose pa të drejtë, tek Asociacioni. Pse duhet të biem ne në këtë kurth?! Çfarë gabimi ka bërë Kurti?

Sokol  Shameti: Unë nuk bie dakord me z. Balliu, të paktën për atë pjesë që ai flet për gabimin e Albin Kurtit. Meqenëse tema është në lidhje me propozimin e Kryeministrit Rama, nuk mendoj se është një akt tradhtie në radhë të parë, që të sqarohemi. Është mendjelehtësi!

Fahri Balliu: Më fal. Kur unë të thashë që Escobar dje, në deklaratën zyrtare tha që e pres draftin nga Kryeministri i Kosovës,  çfarë do ky?!

Sokol Shameti: Gjithçka po ndodh në suazën e një marrëveshjeje që është tentuar të arrihet në Bruksel dhe në Ohër më pas. Tani, kemi qeverinë e Kosovës, kryeministrin Albin Kurti, i cili që ditën e parë ka folur për dakortësi për këtë marrëveshje, ka thënë “po, e mbështes”, ka arritur, mendoj unë, edhe një avancim shumë të madh aty për Kosovën ose një hap për ta shpëtuar Kosovën nga Asociacioni me struktura ose me kompetenca legjislative e vendimarrëse, ekzekutive, kur e ka kthyer atë të themi në një grupim ose ka punuar me definimin e saj si një përpjekje për të arritur vetmenaxhimin e serbëve.

 Asociacioni do të jetë një strukturë vetmenaxhuese e serbëve. Qeveria e Kosovës, Albin Kurti, janë dakord me këtë. Ndërkombëtarët kanë shtyrë që të arrihet kjo marrëveshje. Që nga dita e parë ë Bruksel dhe herën tjetër në Ohër, i vetmi që ka dalë dhe ka thënë “nuk kemi marrëveshje” ka qenë Vuçiçi.

Edhe disa herë më pas, në të gjitha deklarimet publike, Vuçiçi ka dalë dhe e refuzon marrëveshjen e Brukselit, marrëveshjen e Ohrit. Nuk e do Serbia një marrëveshje të tillë pavarësisht se aty flitet për Asociacionin, flitet për pronat e Kishës Serbe, që është edhe ky një problem shumë i madh. Dhe tani çfarë po ndodh?!

Kjo rrezikon që Serbinë ta dizenjojë si fajtore për dështimin e kësaj marrëveshjeje. Pra, kjo marrëveshje është në prag dështimi. Nuk ka marrëveshje, e ka thënë Vuçiçi disa herë; e thonë zyrtarët e qeverisë së tij në çdo lloj mundësie. “Nuk ka marrëveshje!”

Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston për të. Kush është fajtore për këtë? Është Serbia.  Atëherë çfarë ndodh? Na krijohet një krizë artificiale në veri të Kosovës , krejtësisht artificiale sepse Kosova deri ditën kur iu kërkua të shtyhen zgjedhjet – i shtyu zgjedhjet.

U kryen zgjedhjet dhe u mbështetën nga faktori ndërkombëtar – ishte me faktorin ndërkombëtar. E kishte mbështetjen e aleatëve.

Disa ditë para hyrjes së kryetarëve në zyrat e tyre, ambasadori amerikan dhe kjo është e faktuar, ka dalë dhe ka folur që askush nuk guxon të pengojë punën e kryetarëve të zgjedhur! Dhe çfarë ka bërë qeveria e Kosovës?!

Ka zbatuar atë që kanë thënë miqtë ndërkombëtarë, ka futur kryetarët e zgjedhur në zyra me Policinë e Kosovës, e cila nuk është një instrument antikushtetues, antidemokratik, është institucion i Republikës së Kosovës.

Nuk ka përdorur dhunë. Nuk ka përdorur dhunë, se këtu po flasim për imazhin, po Policia është instrument që edhe me imazhin e saj ndihmon në zbatimin e ligjit.

Kjo bëri që Kosova tentoi të zbatojë atë që thanë miqtë ndërkombëtarë dhe menjëherë, disa u shqetësuan, nuk e di për çfarë arsyejeje.

Mund të jenë rrethana të tjera më të mëdha se Kosova, mund të jetë Ukraina në mes, mund të jenë lloj- lloj arsyesh pse vendosën befas që kjo që bëri Kosova, që deri tani ishte në përputhje me çfarë i kishin thënë perëndimorët, miqtë tanë aleatët, u quajt një gabim i rëndë!

Ajo që ndodhi është se papritur, nuk dihet për ç’arsye të cilës konjukture shkaktoi bezdi te aleatët perëndimorë ky hap i Kosovës.

Ajo që nga ata përjetohet si bezdi kur sigurisht, Kosova është një investim, një histori suksesi e aleatëve tanë perëndimorë, është një histori suksesi, është vendi me demokracinë më të konsoliduar në Ballkanin Perëndimor. (Shikoni të gjitha raportet që nxjerrin vetë ata: treguesit e lirisë së shtypit, gjithë elementët etj. Kosova është mbi Shqipërinë mbi Serbinë mbi të gjithë). Atëherë çfarë ndodhi?!

Është që ne kemi një klasë politike dhe një klasë mediatike në Kosovë që ka të paktën një vit, po që kur ka ardhur Albin Kurti në Kosovë, që e kanë shkaktuar nja pesë - gjashtë herë luftën  Kosovë - Amerikë në letra.

Njëherë për marrëveshjen e energjisë, njëherë për targat, pastaj ... Sa herë që qeveria e Kosovës ka pasur një avancim të statusit të Kosovës përballë Serbisë, për ata është bërë nami.

Ata disfatën e Serbisë e kanë konsideruar disfatë të Amerikës. Edhe kanë thënë tani pritet të ngrihet... për pak sa s’kanë thënë se ka ardhur Flota VI amerikane ka zbarkuar këtu për të bombarduar selinë e qeverisë së Kosovës!!!

I kemi lexuar të gjitha dhe kjo që ndodhi kësaj radhe është përsëri e njëjta gjë. Është një ëishfull thinking, është mendimtari dëshirore.

E kuptoni?! “Amerikanët, ata, amerikanët, tani, fillojnë sanksionet...çfarë do të bëjmë”.... ndërkohë që Ministrja e Jashtme e Kosovës është ftuar nga Blinken, ndërkohë qeveria e Kosovës për ta shpërndarë gjithë këtë mjegull ka të paktën një javë, është një ofensivë diplomatike që unë e shikoj shumë të suksesshme - Albin Kurti ka qenë në të gjitha mediat ndërkombëtare. Ai po e sqaron, realist është në një suazë sqarimi të pozicionit të Kosovës në mënyrë shumë të suksesshme. Situata në terren po depërshkallëzohet. Ajo që po përshkallëzohet është irritimi i gjithë këtyre njerëzve që e konsiderojnë si disfatë të tmerrshme dhe unë e shikoj ndërhyrjen e Ramës si pjesë e këtij përshkallëzimi që shkon në drejtim të kundërt me atë që po ndodh realisht në terren. Kjo është e gjitha.”/ar/sh/SYRI.NET 


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco