Kurti pret Kadarenë: Brezave të rinj duhet t’ua mësojmë historinë nëpërmjet letërsisë së tij

Kurti pret Kadarenë: Brezave të rinj duhet t’ua mësojmë historinë nëpërmjet letërsisë së tij

23:29, 06/06/2023

Diskutime për letërsinë, historinë e kulturën e popullit shqiptar, patën sot në një takim miqësor, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe shkrimtari më i madh shqiptar me renome ndërkombëtare, Ismail Kadare.

Sipas njoftimit, duke rikthyer të kaluarën për botën e librave, kryeministri Kurti gjatë bashkëbisedimit i kujtoi Kadaresë se si librat e tij kanë qenë kriter për t’u lexuar nga nxënësit, duke përmendur kështu veprat e famshme “Princesha Argjiro”, “Kështjella”, “Ura me tri harqe” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. 

Ai shprehu se pikërisht këto vëllime kanë qenë motivi i cili ka nxitur leximin e gjitha veprave të Kadaresë.

“Për shkak se kjo krijimtari e Kadaresë vë në pah historinë kombëtare shqiptare nga një kënd tjetër, atë më njerëzor dhe shpirtëror, sipas kryeministrit është arsyeja që e bën një art aq të bukur të tregimit dhe inkurajim për të lexuar tregimin e historisë. 

Rrjedhimisht, ai ritheksoi se brezave të rinj duhet të ua mësojmë më shumë historinë nëpërmjet letërsisë së Kadaresë, pasi që ajo është e pazëvendësueshme dhe thelbësore.”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

“Në anën tjetër, shkrimtari Ismail Kadare vlerësoi fjalët e kryeministrit, duke potencuar se puna dhe krijimtaria për kombet është ndër detyrimet morale e universale. Ndërkaq, Shqipërinë ai e renditi ndër vendet e para në zonën e Evropës që ka botuar letërsi, siç janë librat historik e kombëtar në gjuhën shqipe.”, vazhdon njoftimi.

Tutje, për kulturën shqiptare Kadare shtoi se përveç se është shërbim për vet popullin shqiptar, ka një rol të veçantë edhe në shërbimin ndaj gjithë zonës evropiane, që e gjen rifillimin dhe frymëzimin në kohën e Dantes. Me anë të artit letrar, ai tha se lexuesve, bashkohësve tanë, duhet t’u përçojmë të vërtetën pasi që kjo vlerë na duhet shumë dhe është e çmuar për njerëzimin.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ndërkaq bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare ishte bashkëshortja e tij, Helena Kadare.

Sot gjatë ditës u bë hapja e edicionit të 23-të të Panairit të Librit , organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku mori pjesë edhe kryeministri Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco