Walker për 'Marshin e Drejtësisë': Pozitive përkrahja e VV-së, do të doja të isha atje

Walker për 'Marshin e Drejtësisë': Pozitive përkrahja e VV-së, do të doja të isha atje

18:26, 31/03/2023

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e ka cilësuar si pozitive përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje për “Marshin për Drejtësi”.

Walker, në një përgjigje për Insajderin, ka thënë se do të dëshironte që edhe ai të ishte në Kosovë e të merrte pjesë në këtë organizim.

Mes tjerash, ai e ka quajtur “padrejtësi” atë që po ndodhë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Mendoj se kjo është shumë mirë, shumë pozitive. Për këtë marshim do të doja edhe unë të isha atje të marrë pjesë. Shpresoj që e mbarë Kosova, të gjithë njerëzit pavarësisht se cilën parti politike mbështesin, të marshojnë ndaj kësaj padrejtësie që po ndodh në Hagë ndaj Thaçit, Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se do të dëshironte që të gjithë, jo vetëm LVV-ja, të thonë se kjo që po ndodhë është padrejtësi.

“Kjo është shumë lajm i mirë. Më vjen mirë që më treguat. Do të doja që jo vetëm Vetëvendosja, por të gjithë, sikur në Izrael siç dolën, dhjetëra ose qindra mijëra, dhe të thonë: ‘Kjo nuk është ajo çfarë do të duhej të ndodhte, kjo është padrejtësi’. Do të doja të isha aty të marrë pjesë në këtë ngjarje”, ka thënë ai.

Mes tjerash, ai është shprehur si vijon: “Do t’ju thoja se kjo çfarë po ndodh në Hagë është tejet e padrejtë duke provuar të përcaktohet se kush është kriminel lufte, ndërsa për aq sa unë jam në dijeni kriminelet e luftës janë në anën tjetër (në Serbi)”.

Lëvizja Vetëvendosje, që është partia më e madhe në Kosovë dhe udhëheqëse me Qeverinë e Kosovës, e ka përkrahur marshin solidarizues për Hashim Thaçin dhe të tjerët, që do të mbahet me 2 prill.

“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës”, thuhet në komunikatën e VV-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco