Jo rrallëherë fëmijët janë viktima të dhunës qoftë nga prindërit e tyre apo edhe anëtarë të tjerë të familjes. Në shumicën e këtyre rasteve, fëmijët janë edhe të moshës së mitur, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Kështu ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në një familje në rrugën “Sevdat Berisha” në Prishtinë.
Nga Prokuroria bëjnë me dije se këtë herë viktimë është një vajzë 13-vjeçare, ndaj të cilës dyshohet se ka ushtruar dhunë njerka e saj, gruaja e babait, me të cilën dyshohet se kanë pasur mosmarrëveshje që disa herë.
Motiv i gjithë rastit dyshohet të jetë konflikti mes tyre që sipas vajzës ka ndodhur pasi njerka nuk e ka lejuar që të shkojë te nëna e saj biologjike.
Zënka verbale në një rast ka eskaluar edhe në dhunë fizike, ashtu që e dyshuara e ka goditur vajzën e burrit.
Si rezultat i raportimit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë lidhur me denoncimin kundër saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që ndaj të dyshuarës të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
© SYRI.net