Takimi me Vuçiç në Ohër, Kurti: Të përkushtuar që dita të jetë e suksesshme

Takimi me Vuçiç në Ohër, Kurti: Të përkushtuar që dita të jetë e suksesshme

07:45, 18/03/2023

Kryeministri Albin Kurti, pas arritjes në Ohër, ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet,  në prag të takimit të nesërm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Me të mbërritur në Ohër para bisedimeve të nesërme, pata një telefonatë me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet. Diskutuam për rëndësinë që kjo fundjavë ka për Kosovën, rajonin, integrimet euroatlantike dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që dita e nesërme të jetë e suksesshme”, ka shkruar kryeministri Kurti në “Twitter”, njofton RTK.

Ai ka falënderuar Cholletin për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.

Kurti dhe Vuçiq në takimin e 27 shkurtit në Bruksel e pranuan propozimin evropian, por nuk vendosen nënshkrimin mbi dokument.

Josep Borrell sot në Shkup ka thënë se në takimin e nesërm do të paraqitet një version i konsoliduar i aneksit me komentet e të dyja palëve, ku do të saktësohen detajet rreth zbatimit të dispozitave dhe që do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes.

Propozimi evropian ndër të tjera përfshin zotimin e të dyja vendeve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese evropiane.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco