Lansohet platforma “Super Puna”, synohet punësimi i 10 mijë të rinjve brenda vitit

Lansohet platforma “Super Puna”, synohet punësimi i 10 mijë të rinjve brenda vitit

11:04, 06/02/2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati kanë lansuar sot fillimin e pilotimit të skemës së garantuar të punësimit për të rinjtë, të quajtur “Super Puna”.

Kjo skemë parasheh subvencionimin e pagës në shumë deri 264 euro nga Qeveria e Kosovës për gjashtë muajt e parë të punësimit të të rinjve, raporton EO.

Skema parasheh punësimin e të rinjve të sektorët publikë dhe privatë të tregut të punës.

“Nga sot po e fillojmë pilotimin e skemës së garantuar për të rinjtë. Nëpërmjet saj, qeveria do të subvencionojë 264 euro, pra në lartësinë e pages minimale, për gjashtë muajt e pare të lansimit”, tha Kurti.

Ai ka deklaruar se lansimi i platformës “Super Puna” e shënon “përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës”.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se Qeveria synon të punësojë rreth 10 mijë të rinj brenda vitit të parë të lansimit të platformës “Super Puna”.

Murati tha se punësimi i të rinjve do të bëhet përmes një platforme të automatizuar dhe të integruar me agjencionet përkatëse qeveritare si AShI-ja, ATK-ja dhe ARBK-ja.

Ai ka thënë se platforma do të jetë online dhe do të jetë e qasshme për bizneset që kanë nevojë për punëtorë, si dhe për të rinjtë që kanë nevojë për punë.

“Sot prezantojmë para jush platformën ‘Super Puna’. Premtimi ynë ishte që për secilin të ri të moshës 18 deri 25 vjeç të ketë pra punën e parë të garantuar dhe të mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Dhe, ky premtim tanimë po zbatohet. Pilotimi i projektit do të jetë në mbështetje për gjashtë muaj për secilin të ri që punësohet në tregun e punës me subvencionimin e pagës minimale prej 264 euro”, tha ai.

Ministri i Financave tha se, bazuar në testimin që është kryer deri më tash, bizneset janë interesuar që të dyfishojnë pagën minimale për punonjësit e rinj.

“Po ashtu, mundësia është që punëdhënësi të shtojë mbi këtë shumë, pra mbi shumën 264 euro, por aq sa kemi parë nga testimi ka shumë punëdhënës që janë të interesuar që të shtojnë, madje ta dyfishojnë këtë shumë të pagës”, tha Murati, transmeton Klankosova.tv.

Murati ka thënë se “synimi ynë është që përmes kësaj platforme, qysh në vitin e parë të kemi krijimin e deri në 10 mijë vende të reja të punës për grupmoshat e reja nga 18 deri në 25 vjeç”.

Ministri Murati ka thënë se kushti për bizneset është që punonjësit e rinj të kenë pagë minimale në vlerë 264 euro, të cilën e subvencionon të plotë qeveria.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco