Parashikojnë analistët - Çfarë sinjali po jep vizita e nesërme e Lajçakut

Parashikojnë analistët - Çfarë sinjali po jep vizita e nesërme e Lajçakut

19:20, 05/02/2023

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të pritet nesër nga kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, për një darkë pune.

Kjo vizitë e Lajçakut nuk po shihet si presion i BE-së për formimin e Asociacionit nga analisti politik, Gazmir Raci.

Raci  tha se, vizitat e emisarit Lajçak janë përpjekje për finalizimin e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vizitat e Lajcakut une i shoh si përpjekje për ti afruar qëndrimet e palëve për propozimin konkret të BE-së për finalizimin e marrëveshjes dhe se nuk do të thoë çdo vizitë sjell presione, pasiqë me presione asnjerën palë nuk munden me e shty drejt marreveshjes”, tha Raci.

Raci e sheh pozitive insistimin e Kosovës në njohjen nga Serbia, pasi siç thotë ai pa këtë njohje, problemi historik nuk do të zgjidhet.

“Është mirë që Kosova po insiston në njohjen nga Serbia, sepse pa njohjen formale problemi historik nuk do të zgjidhjet. Zgjidhja e këtij problemi e stabilizon Ballkanin Perëndimor dhe të gjitha shtetet ecin më shpejt drejt anëtarësimit në Bë, Kosova drejt NATO-së”, tha Raci.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Dritëro Arifi e sheh si presion të vazhdueshëm vizitën e Lajçakut për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Arifi  thotë se, emisari Lajçak po pret nga Qeveria e Kosoës të realizojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Arifit, vizita e nesërme e Lajçakut është edhe presion për planin franko-gjerman.

“Vizita e nesërme e emisarit Lajçak në rend të parë është presion, ku ai pret që Qeveria e Kosovës të realizojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët mes Kosovës dhe Serbisë, apo të gjitha marrëveshjet e Brukselit para se të fillojë dialogu për planin franko-gjerman. Presion i madh do të bëhet edhe mbi bazën e këtij plani”, tha Arifi.

Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të pritet nesër nga kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi.

Kryeziu tha se Kurti dhe Bislimi nesër do të zhvillojnë një drekë pune me Lajçakun.

“Kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi priten të zhvillojnë nesër një drekë pune me emisarin Lajcak”, tha Kryeziu.

Kujtojmë se, dialogu Kosovë-Serbi mbetet një nga preokupimet kryesore të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, komuniteti ndërkombëtar është duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si kusht për ta trasuar rrugën për një dialog të mirëfilltë me Serbinë.

Mirëpo, një gjë të tillë po e refuzon kryeministri Albin Kurti, duke thënë se komuniteti serb në Kosovë ka të drejta më shumë se çdo minoritet në cilin do vend të Evropës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco