Erion Veliaj e 'copëton' Ibrahim Rugovën në Tiranë

Erion Veliaj e 'copëton' Ibrahim Rugovën në Tiranë

18:18, 05/02/2023

Një segment i një rruge në Tiranë është emëruar “Dëshmorët e 4 shkurtit”, siç raportoi “Top Channel”, 79 vite pas kësaj masakre. Por krejt kjo, po përcillet me reagime, pasi që duket se është “copëtuar” rruga që mban emrin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Sipas raportimit të mediumit shqiptar, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, të shtunën ka pritur në takim zyrtarë të organizatave kombëtare të Veteranëve e familjarë të dëshmorëve, ku edhe është bërë emërimi i rrugës.

Segmenti që do të mbajë këtë emer, duket se është nga rruga nga Banka e Shqipërisë, e deri te lumi Lanës.

“Rikthyet në vend një çështje që ishte, jo vetëm gabim, por edhe një shtrembërim dhe një vlerësim jo në kohën e duhur dhe jo në lartësinë e duhur. Ju e korrigjuat. Ju lumtë!” – citohet të ketë thënë njëri nga të pranishmit në takim me Veliajn.

Ndaj krejt kësaj situate, ka reaguar Jorida Tabaku, deputete e qarkut të Tiranës në Parlamentin e Shqipërisë, e cila po thotë se është hequr emri i “Ibrahim Rugovës” për “4 shkurtin”.

“Në 17 shkurt 2012 Tirana inaguroi rrugën Ibrahim Rugova në aksin Banka e Shqipërisë deri në hyrje të Liqenit Artificial. Qe nder dhe privilegj për Tiranën dhe tiransit që një figurë e çmuar dhe me rëndësi për kombin tonë të kishte atë emër në atë vend. Vendimi u mor pas një kërkese që familja e Ibrahim Rugovës na drejtoi ne si bashki dhe Këshilli Bashkiak e nderoi qytetin e Tiranës me një patriot, arkitektin e Kosovës së Lirë.” – ka thënë ajo.

E njëjta, ka pretenduar se kjo rrugë është “copëtuar”, duke u sajuar një tjetër (duket se e ka fjalën për segmentin e lartëpërmendur”, me emërtimin e një date tjetër.

“Fatkeqësisht, lufta e klasave rikthyer në 2023 e copëtoi këtë rrugë duke sajuar një tjetër gjysma rrugë me emërtim të një date që nuk është se personifikon apo bashkon dhe aq shqiptarët e aq më pak qytetarët e Tiranës. Se si mund të ulësh përbri rrugës Ibrahim Rugova hallin elektoral të Erion Veliaj, që do të prodhojë dëshmorë, vështirë se mund të kuptohet. Lë pastaj të përziesh historinë dhe ta retushosh.” – ka shkruar ajo mes tjerash.

Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe Flamur Gashi, anëtar i këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, duke e cilësuar këtë veprim si turp.

Ai madje, ka thënë se po vazhdon “urrejtja patologjike” ndaj Kosovës.

“Vazhdon nxitja e urrejtjes patologjike ndaj KOSOVES dhe perfaqesuesve te saj me dinjitoz, nga ana e neokomunisteve dhe pinjolleve ideologjik te Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshes ne Tirane. I ndryshohet emri gjysmes se rruges “Dr.Ibrahim Rugova” dhe i vendoset emri “Deshmoret e 4 shkurti”, me qellimin djallezor per te rikthyer ne skenen e debatit politik nje debat qe e nxiten qe ne krye te heres komunistet jugosllav, per ti futur ne sherr shqiptaret ne mes vete dhe ne menyre te veçante per te nxitur urrejtje per Kosoven dhe te gjithe shqiptaret qe nuk ishin dhe nuk jane perkrahes te komunizmit pro jugosllav dhe pro rus!” – ka thënë ai.

Tutje, Gashi ka shkruar s kryetari Veliaj, pasi s’e lejoi vendosjen e shtatores s ëish-presidentit Rugova, tani me ndihmën e anëtarëve të Këshillit të Bashkisë, ‘’ia ndryshoi edhe emrin e rrugës”.

“Kjo eshte fytyra e vertete e Erion Veliajt dhe mbeshtetesve te tij, ne nxitjen e urrejtjes dhe perçarjes brenda kombit tone!” – tha ai në Facebook.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco