Çfarë aktgjykimi pritet ndaj Gucatit e Haradinajt, flet avokati Qerkini

Çfarë aktgjykimi pritet ndaj Gucatit e Haradinajt, flet avokati Qerkini

13:20, 02/02/2023

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dy ish-krerët e organizatës së veteranëve të UÇK-së dalin sot para Gjykatës Speciale për ta dëgjuar aktgjykimin e Apelit ndaj tyre.

Avokati Artan Qerkini thotë se ata mund të lirohen nëse provat janë vlerësuar ndryshe në shkallën e dytë, apo së paku ta marrin një dënim më të ulët.

Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara në Hagë do ta shqiptojë sot aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Seanca është caktuar për në orën 14:00.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim në shkallë të parë, më 18 maj 2022. Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini beson se ata do të mund të liroheshin sot, në rast se Gjykata e Apelit do t’i vlerësonte ndryshe provat.

“Natyrisht ne do të prisnim ndoshta edhe aktgjykim lirues nëse Gjykata e Apelit do t’i vlerësonte provat ndryshe. Nëse Gjykata e Apelit do të vlerësonte se publikimi i këtyre informatave e ka pasë një qëllim legjitim publik për ta njoftuar opinionin se cilat janë burimet e informatave apo provave që i përdor Gjykata Speciale; nëse do ta vlerësonte në këtë kontekst, atëherë mendoj se mund të kishte aktgjykim lirues apo së paku zbutje eventueale të dënimit i cili është shumë i lartë, marrë parasysh se ata nuk janë dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me krime lufte”, tha Qerkini.

Ish-krerët e OVL-UÇK-së e shpallën fajtorë se kishin shpërndarë për gazetarët dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, pasi ato silleshin në zyrat e kësaj organizate në vitin 2020.

Avokatët e të akuzuarve kanë thënë se ata e bënë këtë në interes të publikut, duke dashur ta njoftojnë opinionin se Gjykata po funksionon mbi bazën e provave të siguruara nga Serbia. Por Gjykata i dha të drejtë Prokurorisë, e cila tha se veprimet e tyre përbënin ndërhyrje në drejtësi e frikësim të dëshmitarëve.

“Këtu është krejt kontesti mes palëve”, thotë avokati Artan Qerkini. “Tash krejt varet nga kjo”.

“Gjykata e shkallës së parë s’e ka aprovuar teorinë e Mbrojtjes, por nuk do të thotë që gjykata e shkallës së dytë s’do ta aprovojë, ose minimalisht ta shpallë një dënim më të ulët”, thotë ai.

Gucati e Haradinaj u arrestuan më 26 nëntor të vitit 2020 dhe prej atëherë janë në paraburgim në Hagë. Koha e kaluar në paraburgim, do t1% llogaritet në dënim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco