Fluturon, fluturon...Prishtina

Fluturon, fluturon...Prishtina

10:58, 02/02/2023 Nga Ç.D

Krahasuar me nivelin mesatar të pagave, kostoja e të jetuarit në kryeqytet po i tejkalon mundësitë ekonomike të shtresës së mesme, duke e bërë të pamundur që një person i vetëm me një pagë të tillë të mbulojë shpenzimet në fund të muajit, shkruan Syri.net Kosova.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të qirasë së shtëpive, lokaleve, tatimit në pronë, parkingjeve, e së fundmi edhe trafikut urban, çdo herë e më shumë po e vështirëson mbulimin e shpenzimeve të personave që jetojnë në Prishtinë.

Kjo rëndesë ekonomike po shihet si e papërballueshme duke marrë parasysh faktin që Kosova po përballet me kohë krize të inflacionit.

Edhe ngritja e çmimeve të fundit nga komuna e Prishtinës në raport me biletat e trafikut urban ka ngjallë reagime të shumta.

Bledi Hasaj nga Instituti GAP , ka kritikuar komunën e Prishtinës pas këtij vendimi të fundit.

“Komuna e Prishtinës, pas preukopimit disaditor me atë se si po rëndohemi ne qytetarët me pagesën më të lartë të tatimit në pronë këtë vit, sot paska reagu me një vendim ku e rritë çmimin e biletës më të shitur tek autobusët lokalë, atë njëdretimëshe, nga 40 centë në 50 centë. Një rritje e çmimit prej 25%!  A nuk e paskemi edhe këtë javë një "kohë krize (çmimesh)", siç thoshte Komuna e Prishtinës javës që shkoi? Apo ndoshta është normalizu situata?”, është shprehur ai.

Shqetësim ka ngritur edhe qytetari i zëshëm  i kryeqytetit, Dren Shahini i cili në një prononcim për Syri.net Kosova, sipas arsyeve të renditura, e sheh shumë problem koston e jetesës, duke e konsideruar atë alarmante.

“Siç e dimë, familjet që jetojnë në kryeqytet, shumica nga to janë familje krejtësisht të varura nga paga mujore!  Duke qenë se bëjnë jetesë urbane, ato nuk kanë mundësi prodhimtarie ku së paku do të mund ta lehtësonin çështjen e shpenzimit për ushqimin e përditshëm! Viti që lamë pas, dhe ky që hymë, kanë rënduar tejet shumë përditshmërinë e kryeqytetasve! Inflacioni, rritja e çmimeve të pothuajse çdo produkti ushqimor dhe jo vetëm, ka shkaktuar vështirësi të skajshme në përballimin e jetesës në kryeqytet!  Mos të harrojmë, sipas statistikave të ASK-së, nëse në 2020, në muajin dhjetor, ke blerë produkte me 71.02 Euro, dhe në 2021 me 79.67 Euro, në dhjetorin 2022 ato kanë kushtuar 102.73 Euro! Përveç çmimeve të shportës me produkte të ushqimit të përditshëm, tashmë skajshëm janë shtrenjtuar edhe shërbimet!  Janë rritur edhe qiratë dhe çmimi i metrave katrorë për hapësirë banimi! Kjo rëndon shumë përditshmërinë e kryeqytetasve sepse kjo rritje reflektohet pastaj në çdo shpenzim tjetër!  Marrë parasysh të gjitha këto në njërën anë dhe mosngritjen e pagave në anën tjetër, për banorët e kryeqytetit jetesa është në limitet e qëndrueshmërisë! Gjendja është alarmante!”, nënvizoi Shahini për Syrin.

Pa logjikë shtrenjtimin e çmimeve, ndërkohë që pagat janë minimale, e cilëson edhe qytetari tjetër SH.K.

“Çmimet e produkteve bazike dhe jo vetëm çdo ditë e më shumë po ‘fluturojnë’. Nga ana tjetër, ndonëse sektori publik po përfiton me Ligjin e Pagave, të tjerët që janë pjesë e sektorit privat, po shkojnë drejt humnerës, pasi, rritja e çmimeve po bëhet e papërballueshme. Çdo ditë në portale po lexojmë lajme që shtrenjtohet kjo, shtrenjtohet ajo, kurse, rrogat janë minimale, e kjo vërtetë s’ka logjikë, thjesht është vështirësim shumë i madh i jetës, sidomos në kryeqytet” ka thënë qytetari.

Ngjashëm me të, shumë qytetarë përjetojnë vështirësi për të mbyllur muajin, ku potenciali i tyre blerës është më i ulët sesa çmimet marramendëse që shfaqen në tregjet dhe dyqanet e Prishtinës..

Në lidhje me këtë situatë para ca ditësh  ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili ka  vizituar njërin nga tregjet e pemëve, perimeve e produkteve bazike në kryeqytet.

Ai ka takuar qytetarë të shumtë, të cilët kanë theksuar se “kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme”.

“Me këtë pushtet, mijëra njerëz po përpiqen fort t’i bëjnë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve. Përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20 për qind, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50 për qind. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka pasur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë”, ka thënë Abdixhiku.

Përndryshe Syri në vazhdimësi ka raportuar në lidhje me koston e jetesën në Prishtinë në varësi nga rritja e çmimeve në sfera të ndryshme. SYRI.NET KOSOVA.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco