Asociacioni me (pa) kompetenca ekzekutive- kush është për, e kush kundër?

Asociacioni me (pa) kompetenca ekzekutive- kush është për, e kush kundër?

09:45, 02/02/2023

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është rikthyer si temë në dialogun Kosovë-Serbi. Madje kjo temë ka ndarë për dhe kundër njerëzit në Kosovë e rajon.

Në Kosovë qeveria dhe shumica e liderëve politik kanë kërkuar që në vend nuk duhet të ketë Asociacion etnik sepse Kosova është multi-etnike edhe me Kushtetutën e saj.

Në anën tjetër BE-ja dhe ShBA-ja kanë kërkuar themelimin e Asociacionit në mënyrë që të përshpejtohet dialogu Kosovë-Serbi.

Mirëpo, kundër marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vend është shprehur ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili kishte thënë se Asociacioni i një grupi të ndarë nuk është një zhvillim pozitiv, duke theksuar se nuk i kuptonte benifitet që mund t’i ketë Kosova nëse e themelon këtë mekanizëm.

Walker kishte thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk është mirë të krijohet.

Walker theksoi se Asociacioni i një grupi të ndarë nuk është një zhvillim pozitiv, duke theksuar se nuk i kupton se benifitet që mund t’i ketë Kosova nëse e themelon këtë mekanizëm, por, që sipas tij, krijimi i Asociacionit nuk është një gjë e mirë.

Njëjtë mendon edhe avokati shqiptar Spartak Ngjela, i cili të martën ka thënë se kryeministri Albin Kurti, duhet të rezistojë e të mos bëjë lëshime ndaj Serbisë.

“Ne e kemi fituar luftën në vitin 99’ dhe unë u bëj thirrje atyre të qëndrojnë për të ruajtur dinjitetin e kombit të tyre sepse ka shumë filoserbë brenda. Gjithë çështja është se të rrahurit duan rrahësin shpesh, jo të gjithë, por ka nga ata që vuajnë psiqikisht”, u shpreh Ngjela.

Avokati shtoi se e sheh rezistencën e Qeverisë së Kosovës dhe nuk ka asgjë kundër.

Nga ana tjetër presidenti i entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, tregoi qëllimin e vërtetë të Serbisë lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se “Asociacioni një ditë do të jetë Republika Srpska”.

Dodik, kishte thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arriti ta kthejë çështjen e Kosovës nga një pozicion humbës në agjendë dhe në qendër të interesit dhe theksoi se serbët duhet të jenë të bashkuar dhe mblidhen për negociata.

Milorad Dodik, presidenti i entitetit të Republikës Srpska

“Ajo që duhet pasur parasysh është se duhet të shihen pasojat që kemi mundur të dëgjojmë për Kosovën, që janë se do të ndërpritet rruga evropiane, do të ndalen investimet, do të futen përsëri vizat. Këto janë pasoja të rënda”, theksoi Dodik.

Sipas tij, pasojat mund të ndryshojnë pozitën ekonomike, sociale dhe gjeopolitike të serbëve.

Ndërsa, Lista Serbe thekson se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se i njëjti duhet të formohet, pasi është obligim që Kosova ka marrë me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Ndërkaq, të martën në Ambasadën amerikane në Prishtinë u mbajt një takim në të cilën u diskutua për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nikoqiri i takimit, ambasadori Jeffrey Hovenier theksoi se nuk mbështesin asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës.

Ndryshe, në kuadër të kësaj çështje ekzistojnë dy marrëveshje të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, një në vitin 2013 dhe tjetra e arritur në vitin 2015, në Bruksel.

Mirëpo në marrëveshjen e vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se kjo marrëveshje mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco