Rroga “të papranueshme”: Koeficienti nxit reagime nga opozita e sindikatat, për Kurtin rritje e madhe

Rroga “të papranueshme”: Koeficienti nxit reagime nga opozita e sindikatat, për Kurtin rritje e madhe

07:16, 02/02/2023
Publikimi i vlerës së koeficientit të pagave në Kosovë zemëroi punonjësit e sektorit publik. Është “e papranueshme”, thanë përfaqësues të sektorit të shëndetësisë, duke paralajmëruar edhe mundësinë e shprehjes së revoltës.
 
Qeveria e Kosovës bëri të ditur të mërkurën se vlera e koeficientit të pagave me ligjin e ri – që është miratuar në dhjetor dhe do të hyjë në fuqi nga 5 shkurti – do të jetë 105 euro. Pritjet e shumë sindikalistëve kanë qenë që kjo vlerë të mos jetë nën 120 euro.
 
Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Tevide Imeri, tha se Këshilli Drejtues i kësaj federate do të mblidhet të enjten, për të diskutuar hapat që mund t’i ndërmarrë.
 
Sipas saj, punonjësit e shëndetësisë janë tejet të zhgënjyer me pagën që u ofron ky koeficient.
 
“Kjo pagë nuk do ta ndalë trendin e ikjes së mjekëve nga Kosova – jo vetëm migrimin jashtë vendit, por edhe migrimin brenda Kosovës, sepse një mjek në sektorin privat i merr 3.000 euro”, tha Imeri.
 
Paga caktohet në atë mënyrë që vlera e koeficientit shumëzohet me nivelin e koeficientit të punëtorit, i cili varion nga dy deri në 18.
 
Mjeku i përgjithshëm, për shembull, nivelin e koeficientit e ka 7.4. Paga e tij bruto deri në janar të këtij viti ka qenë 565 euro, ndërsa me vlerën e re të koeficientit do të jetë 777 euro.
 
E zhgënjyer me vlerën e koeficientit u shpreh edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.
 
Në bazë të një projektligji që është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, paga minimale në Kosovë do jetë 264 euro, nga 130-170 sa është aktualisht.
 
Nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kosovës (SBASHK) thanë se paga që del me vlerën e re të koeficientit, nuk i plotëson as pritjet, as nevojat e punonjësve të arsimit.
 
“…megjithatë, SBASHK-u mendon se ligji duhet të fillojë të zbatohet” dhe “të metat eventuale të përmirësohen gjatë kohës sa është duke u zbatuar”, tha SBASHK-u përmes një komunikate për media.
 
Kritika edhe nga opozita
 
Duke bërë publike vlerën e koeficientit në mbledhje të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se ajo do të ndryshojë në vitin 2024, kur do të bëhet 110 euro. Çdo vit, në bazë të mundësive buxhetore, ky koeficient do të lëvizë, tha ai.
 
 
Por, të revoltuar me njoftimin u shprehën edhe përfaqësues të partive opozitare.
 
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se koeficienti prej 105 eurosh “është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publikë”.
 
“Është braktisje e njerëzve të vendit, që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
 
 
Duke folur në një seancë të Kuvendit të Kosovës, Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cilësoi vlerën e koeficientit si “të mjerë”.
 
“Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i kanë zgjatur kolonat e pritjeve të të rinjve dhe të rejave të Kosovës pranë dyerve të ambasadave”, tha Tahiri, duke iu referuar migrimit të qytetarëve kosovarë.
 
Ministri i Financave, Hekuran Murati, u është përgjigjur kritikave të opozitës të cilët kanë thënë se vlera e koeficientit të pagave është bërë në mënyrë paushalle.
 
Ai ka thënë se kjo vlerë është përllogaritur me detaje dhe se nuk bëhet fjalë për hamendësime. Murati i ka quajtur propozime paushalle ato të opozitës.
 
“Çka ka qenë e radhës që kjo të përpjesëtohet me buxhetin e alokuar për pagat në mënyrë që të nxirret vlera për një koeficient, është vlerë e llogaritur dhe nuk ka as hamendësim as paushallitet. Ata që flasin për shifra 120 herë 125 e 139 e 132 ata flasin për shifra paushallë pa e ditë për ndikimin buxhetor”, ka thënë ai.
 
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 42.000 shtetas kanë ikur nga Kosova në vitin 2021, për arsye të ndryshme.
 
Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 – më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit. Më i ulëti, ndërkaq, u takon pozitave si: rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.
 
Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
 
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë. Paga mesatare bruto në vend, deri më tash, ka qenë rreth 480 euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco