Çka u diskutua në takimin për Asociacionin, përfaqësuesja nga shoqëria civile jep detaje

Çka u diskutua në takimin për Asociacionin, përfaqësuesja nga shoqëria civile jep detaje

14:11, 31/01/2023

Ka përfunduar diskutimi për Asociacionin në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Pjesë e diskutimit përpos përfaqësueseve të Qeverisë, Presidencës e përfaqësuesve të partive opozitare, ishin edhe pjesëtarë nga shoqëria civile.

Pranë Ambasadës amerikane ishte edhe gazetari Venhar Jusufi, ku Millica Andriq Rakiq nga organizata Iniciativa e Re Sociale në Mitrovicë të Veriut, pas takimit ka thënë detaje se çka është diskutuar, shkruan Reporteri.

Ajo ka thënë se në takim është diskutuar për mënyrën se si do të mund të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në kornizën ligjore të Kosovës në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Rakiq thotë se nuk ka pasur konkluzione përfundimtare nga takimi dhe se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë paraqitur qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje që tashmë është publik.

“Kemi biseduar për atë  se si do të mund të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në kornizën ligjore të Kosovës në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Nuk mund të them se ka diçka përfundimtare nga takimi. Kishte mendime të ndryshme dhe debate kishte debat të civilizuar, çka është më e rëndësishmja. Përfaqësuesit e institucioneve kishin qëndrimin e tyre që tashmë është publik, se ende nuk e kuptojnë nevojën e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe se plani i Ahtisaarit u përgjigjet nevojave të komunitetit. Kishte shumë diskutime rreth asaj se si do të zbatohet Asociacioni, çfarë kompetenca do të ketë, korniza ligjore e të tjera”, u shpreh ajo para mediave.

Pak më parë, edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar pas përfundimit të takimit rreth Asociacionit në Ambasadën Amerikane.

Hovenier ka shkruar se SHBA-ja do të vazhdojë të avokojë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut.

“Sot mbajtëm një diskutim në ambasadën amerikane në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të Dialogut”, ka shkruar Hovenier.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco