Postimi për ish-këshilltarin e Kurtit vazhdon t’i sjellë Krasniqit probleme në Speciale, indinjohet avokatja

Postimi për ish-këshilltarin e Kurtit vazhdon t’i sjellë Krasniqit probleme në Speciale, indinjohet avokatja

10:47, 29/01/2023

Një postim në Facebook i bërë më 24 prill të 2020-ës, e i cili i kushtohet ish-këshilltarit të Kurtit, Shkelzen Gashi, po vazhdon t’i prishë punë ish-zëdhënësit të UÇK-së në Hagë, Jakup Krasniqi. I njëjti postim, po vazhdon të merret si dëshmi nga Prokuroria se kinse ekziston rreziku që Krasniqi të bëj presion mbi dëshmitarët, duke argumentuar kështu kundër mbrojtjes në liri të tij. Për këtë çështje ka shprehur indinjatën e saj, avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra.

Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës pas lufte, e ish-zëdhënës i UÇK-së gjatë luftës, po vazhdon t’i vuaj pasojat e një postimi kundër ish-këshilltarit të kryeministrit Kurti, Shkelzen Gashi. Në atë postim, që ishte publikuar më 24 prill të 2020-ës, Krasniqi i reagonte Gashit pasi ky theksonte se edhe anëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime”.

Krasniqi atë kohë i referohej me termin “kolaboracionist” Gashit. E kaq mjaftoi, që për dy vite, Prokuroria e Specializuar e Hagës, këto fjalë të Krasniqit, t’i karakterizojë si dëshmi që tregojnë se ish-zëdhënësi i UÇK-së paraqet rrezik për dëshmitarët e mundshëm

  • Postimi i Jakup Krasniqit për deklaratën e Shkelzen Gashit:

Në një parashtresë të avokates së Krasniqit, të cilën e ka parë lajmi.net, ritheksohet fakti që kanë kaluar dy vite nga ai postim dhe se tanimë rrethanat janë ndryshe.

“Prokuroria gjithashtu është mbështetur në një postim në Facebook të bërë nga z. Krasniqi më 24 prill 2020, për të mbështetur pohimin se ai do të pengonte procedurat. Mbrojtja pohon se kjo është e pamjaftueshme për të nënkuptuar një rrezik real të pengimit të procedurës, veçanërisht që faza aktuale e procedurave është më shumë se dy vjet pas postimit në Facebook”, ka thënë avokatja Alagendra, raporton lajmi.net.

Ajo propozon që Krasniqi të lirohet edhe me kushtin që ai të mos bëjë deklarata publike, përfshirë edhe mediat sociale.

“Në çdo rast, çdo rrezik i tillë mund të zbutet lehtësisht duke kërkuar që z. Krasniqi të abstenojë nga bërja e deklaratave publike duke përfshirë mediat sociale si kusht për çdo lirim të përkohshëm”, ka thënë ajo.

Avokatja e Krasniqit tutje thekson se klienti i saj tanimë ka 72 vjet, dhe rreziku i ikjes nuk ekziston.

Ndër të tjera, mbrojtësja thekson se Krasniqi ka një lidhje të fortë me Kosovën, ka familjen atje, si dhe që një kohë të gjatë nuk është larguar për të jetuar diku tjetër.

“Mosha e tij neglizhohet vazhdimisht në parashtrimet e Prokurorisë dhe lufton kundër çdo rreziku arratisjeje. Ai ka një lidhje të fortë personale me Kosovën dhe, përveç rrethanave të tij aktuale, nuk ka qenë jashtë Kosovës për një periudhë të gjatë, me përjashtim të periudhës shkurt-qershor 1999 kur mori pjesë në negociatat ndërkombëtare të paqes dhe më pas nuk ishte në gjendje të kthehej në vend. Lidhjet e tij janë me Kosovën dhe familja e tij e ngushtë mbetet në vend. Këta faktorë, të marrë si individualisht ashtu edhe në mënyrë kumulative, sugjerojnë se z. Krasniqi nuk ka gjasa të arratiset dhe në vend të kësaj do të ishte shumë i motivuar për të përmbushur kërkesat shtesë të vendosura për të siguruar lirimin e tij afatshkurtër”, thuhet në parashtresën që ka parë lajmi.net.

Kujtojmë që tani më shumë se dy vite, gjyqtari i Procedurës Paraprake dhe panelet tjera të Gjykatës Speciale kanë refuzuar çdo kërkesë të krerëve të UÇK-së për mbrojtje në liri.

Gjykimi ndaj katërshes udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të fillojë në mars.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco