Ndikimi i versionit të ri të planit franko-gjerman në raportet mes palëve

Ndikimi i versionit të ri të planit franko-gjerman në raportet mes palëve

23:15, 09/12/2022

Dialogu Kosovë -Serbi, tash e disa muaj është duke lëvizur rreth planit franko-gjerman.

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt të martën në Tiranë, shefi i diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, njoftoi se palët e kanë marrë versionin e përditësuar të këtij plani.

“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Palët duhet të angazhohen tani në një diskutim serioz, sepse ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe”, ka thënë Borrell.

Mësohet se pavarësisht ndryshimeve në planin franko-gjerman, qëndrimi i institucioneve të Kosovës për të nuk ka ndryshuar. Pra, ekzekutivi vazhdon të mendojë që ky dokument është bazë e mirë për të ecur përpara.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur i pakënaqur për këtë, pasi ka deklaruar se teksti i ri i planit franko-gjerman, nuk është përmirësuar në pjesët ku ka kërkuar Serbia.

Profesori universitar, Arben Fetoshi, thotë se për t’iu shmangur planit franko-gjerman, Beogradi me anë të mekanizmave të vet, po tenton ta destabilizoi situatën në Kosovë.

“Pa diskutim që zhvillimet dramatike në veri janë përpjekje e Serbisë për ta shmangur presionin ndërkombëtarë, sa i përket uljes në tavolinë për të arritur marrëveshjen mbi bazën e planit franko-gjerman, të cilin gjithashtu Shtetet e Bashkuara tashmë dihet që e kanë mbështetur”, ka thënë Fetoshi.

Republika e Kosovës dhe Serbia, i kanë dërguar Bashkimit Evropian qëndrimet e tyre zyrtare për propozimin franko-gjerman, vlerësime këto të cilat më pastaj kanë sjellë edhe përditësimin e tekstit të këtij dokumenti.

Përmbajta e detajuar e këtij propozimi ende nuk është bërë e ditur, por emisarët ndërkombëtarë kanë premtuar se një gjë e tillë, do të ndodh shumë shpejtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco