I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha sot në Bruksel se Prishtina e di se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të diskutohet.
“Për këtë është rënë dakord në vitin 2013 në Marrëveshjen e Brukselit dhe mendoj se, për Prishtinën, është e qartë se ky diskutim duhet të bëhet”, tha Sarrazin për Tanjug, transmeton Euronews.
Sa i përket situatës aktuale në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, emisari Sarrazin, i cili mori pjesë në panel diskutimi në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Bruksel, thotë se situata është e tensionuar.
“Ne kemi një situatë shumë të tensionuar në dialog, veçanërisht për Mitrovicën e Veriut. Natyrisht, ne duam që situata të jetë stabile dhe e sigurt. Kjo do të thotë se duhet bërë gjithçka nga të dyja palët, që të jenë fleksibil e të mos ketë përshkallëzim”, tha i dërguari gjerman.
Kujtojmë se, kur u deklarua për herë të fundit, kryeministri Albin Kurti tha se do të ketë konsideratë edhe për Asociacionin.
Këtë, tregoi ai, e kishte paraqitur edhe në Bruksel më 18 gusht në Kornizën për Marrëveshje të Përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që e kishte paraqitur.
“Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe unë nuk kam përgjigje të re. Por, natyrisht që në Kapitullin 4 të Kornizës së Marrëveshjes së Përgjithshme që e kam prezantuar në Bruksel më 18 gusht, unë edhe aty kam thënë që do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe implementimin e tyre”, ka deklaruar Kurti.
© SYRI.net