Vrasjet në familje tronditin Kosovën, lajmet për dhunën e shtojnë mllefin

Vrasjet në familje tronditin Kosovën, lajmet për dhunën e shtojnë mllefin

10:52, 07/12/2022 Nga A.Z

Në javën e fundit të nëntorit në Kosovë janë vrarë dy gra, përfshirë një shtatzënë. Të dyshuar kryesorë për vrasjet kanë qenë bashkëshortët e tyre. Në rastin e shtatzënës, autoritetet kanë konfirmuar se i dyshuari ka pasur edhe aktakuzë për dhunë në familje, shkruan syri.net Kosova.

Viteve të fundit në Kosovë rritja e numrit të vrasjeve dhe dhunës në familje ka kaluar në një fenomen që vetëm rritet. Ndikimi tek ana psikologjike e njeriut është ajo që prek më së shumti qytetarët e vendit.

Psikologu Yll Avdijaj, në një përgjigje për Syri.net Kosova ka pohuar faktin se ngjarjet e javës së fundit të nëntorit kanë predispozita që të afektojnë të gjithë qytetarët e sidomos personat që janë më të ndjeshëm.

‘Ngjarjet e ditëve të fundit qe ndodhën në Kosovë, me të vërtet ishin shumë të rënda, njëkohësisht edhe traumatike për shoqërinë tonë.

Lajme me përmbajtje të tilla ku përfshihet dhuna dhe vrasjet sigurisht se kane predispozitèn që të afektojnë me shumë lehtësi edhe qytetarët e kësaj shoqërie, e sidomos ata të cilët janë më të ndjeshëm emocionalisht dhe ata me prirje më të lartë ndaj ankthit’, ka thënë Avdijaj.

Në anën tjetër, psikologu bën me dije se edhe konsumimi i lajmeve nga ana e audiencës që kanë të bëjnë më vrasje, dhunë, rrëmbime etj., nxit rritjen e frikës dhe pasigurisë tek njeriu.

‘Koha në të cilën ne po jetojmë, dëshmon se i jemi ekspozuar në një masë shumë  të madhe mediave dhe rrjeteve sociale, gje që na bënë të kuptojme se konsumi ndaj lajmeve dhe informacioneve është tejët i lartë! Fakti i të qënirit i informuar nuk përbën problem në vete mirëpo nëse flitet për llojin e informacionit atëher lirisht mund të themi se lajmet me info negative ku përfshihen vrasje, vetëvrasje,kanosje, dhuna, rrëmbime, luftëra etj, sigurisht se do të ketë një ndikim në nxitjen e frikës pasigurisë, irritimit, tensionit, agresionit etj te individ të ndryshëm në mjedisin shoqëror’, ka shtuar ai tutje.

Ai thotë se lajmet për ngjarje të tilla shpesh mund të bëhen edhe një lloj ngacmuesi për të gjithë ata persona të cilët kanë pasur përvoja të ngjashme traumatike, gjë që i kontribuon në zgjim të atyre ndjenjave të pakëndshme apo në një ri-traumatizim.

‘Ekspozimi i hershëm i fëmijëve ndaj dhunës dhe tolerimi i saj mund të çojnë në tendenca të dhunshme të të rriturve’ (Kaltrina Kelmendi, profesoreshë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës)

Psikologia Kaltrina Kelmendi ka publikuar disa studime në lidhje me këtë fenomen, përkatësisht dhunën në familje, dhunën në bazë gjinore dhe dhunën mes partnerëve intimë, transmeton Syri.net Kosova.

Në bazë të këtyre studimeve, ajo thotë se tendencat e dhunshme mund të lindin si rrjedhojë e një cikli të dhunës, ndaj të cilit personi mund të ketë qenë i ekspozuar që nga fëmijëria e hershme deri te mosha madhore.

‘Kjo ndikon në zhvillimin e disa qëndrimeve tolerante ndaj dhunës dhe bën që dhuna të shihet si formë legjitime e zgjidhjes së konflikteve’, thotë Kelmendi.

Sipas saj, nëse fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje, qoftë si viktima apo si dëshmitarë, kjo i rrit gjasat që ata të jenë të dhunshëm kur të rriten.

Kelmendi thotë se në familjet kosovare, një numër i madh i fëmijëve i ekspozohen dhunës si formë e disiplinës.

Këtë e konfirmon edhe një anketë e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2020 dhe e realizuar me mbështetjen e Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF. Sipas saj, mbi 72 për qind e fëmijëve kosovarë janë të disiplinuar me dhunë.

Kelmendi thotë se institucionet shtetërore duhet të zhvillojnë programe që merren me dhunën në familje në aspektin vetëdijesues.

‘Duhet të merremi jo vetëm me pasojat e dhunës, duhet të punohet edhe në ngritjen e vetëdijes tek anëtarët e familjes, qoftë te viktimat e dhunës, qoftë te përjetuesit e saj, në mënyrë që dhuna të mos përsëritet’, thotë ajo.

Studiuesja e konsideron të rëndësishme që, përtej kurrikulave aktuale të mësimit, në shkolla të zhvillohen programe edhe për forma të komunikimit, me të cilat mund të zgjidhen konfliktet.

Pesëdhjetë gra të vrara në 12 vjet

Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Nga të dhënat e Policisë së Kosovës, dërguar Syri.net Kosova, del se rastet e dhunës në Kosovë janë në rritje viteve të fundit.

Gjatë periudhës janar-tetor 2022 janë regjistruar 2.273 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë gjithë vitit 2021 janë raportuar 2.456 raste dhe më 2020 - 2.069 raste.

Deri më tash gjatë vitit 2022, në Kosovë janë raportuar tri gra të vrara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco