Shefi i EULEX-it i shqetësuar me situatën në veri: Po monitorojmë situatën

Shefi i EULEX-it i shqetësuar me situatën në veri: Po monitorojmë situatën

09:50, 07/12/2022

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se është i shqetësuar me situatën e djeshme në veri të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Twitter iu ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të vetëpërmbajtur, derisa ka bërë me dije se janë duke monitoruar situatën bashkë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

“I shqetësuar me incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe secili duhet të jetë i qetë dhe të tregojë vetëpërmbajtje. EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, ka shkruar ai në Twitter.

Kryeministri Albin Kurti mbrëmë tha se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.

Ai tha se për këtë arsye ka edhe prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin dhe ligjin, derisa ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj që po paguan kriminelët për të destabilizuar situatën.

“Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”.

Gjithashtu, Kurti ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e asaj pjese të vendit që të ruajnë qetetësinë dhe rendin.

“Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco