Largimi i ushtarëve nga FSK-ja, Ministria e Mbrojtjes e cilëson si ‘trend’ që e kanë edhe ushtritë e tjera

Largimi i ushtarëve nga FSK-ja, Ministria e Mbrojtjes e cilëson si ‘trend’ që e kanë edhe ushtritë e tjera

19:24, 04/12/2022

Forca e Sigurisë së Kosovës, është padyshim një nga pikat kyçe të shtetit.

Që kjo forcë të jetë sa më e formësuar në secilin aspekt, vitin e fundit madje është hapur edhe një Fond, në të cilin kanë kontribuar qytetarë të shumtë për të rritur buxhetin për Ushtrinë e Kosovës.

Por pavarësisht kësaj, kushtet të cilat i ofron Forca e Sigurisë së Kosovës për kadetët, por edhe të tjerët ushtarë nuk janë gjithnjë të konvenueshme.

Si shkak i kësaj arsye, por edhe shumë vërejtjeve të tjera vitin e fundit pati edhe largime të shumta nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Disa prej tyre e bënë publike largimin, e disa të tjerë e mbajtën të heshtur.

Lidhur me këtë, nga Ministria e Mbrojtjes kanë deklaruar se sa i përket fushës së rekrutimit, zhvillimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore të FSK-së, ka hartuar dhe zbaton politikat më bashkëkohore sipas praktikave më të avancuara të fushës përkatëse.

“Ministria e Mbrojtjes, sa i përket fushës së rekrutimit, zhvillimit dhe menaxhimit të  burimeve njerëzorë të FSK-së, si aseti ynë i pazëvendësueshëm, ka hartuar dhe zbaton politikat më bashkëkohore sipas praktikave më të avancuara të fushës përkatëse të ministrive dhe forcave të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s”, u  tha në përgjigjen e ministrisë së Mbrojtjes kur u pyetën në lidhje me këto largime.

Më saktësisht sipas kësaj ministrie, lidhur me largimet e përmendura shpesh herë të pjesëtarëve të FSK-së, nga analizat e kryera del se trendi i largimeve individuale nuk është sinjifikativ, por trend që kanë edhe ushtritë e rajonit.

“Lidhur me largimin, e përmendur shpesh, të pjesëtarëve të FSK-së, ju njoftojmë se nga analiza dhe vlerësimi i autoriteteve profesionale të Ministrisë sonë, trendi i largimeve individuale nuk është sinjifikativ, por trend që përafërsisht kanë edhe ushtritë e rajonit, por edhe ushtritë e vendeve të NATO-s”, u tha nga Ministria e Mbrojtjes për lajmi.net.

Tutje është theksuar se vazhdimisht, ndër prioritetet dhe preokupimet kryesore të ministrit, Armend Mehaj, ka qenë dhe është avancimi i kushteve të shërbimit si dhe mirëqenia socio-ekonomike e ushtarëve të FSK-së.

Ndryshe shpesh herë në Kuvendin e Kosovës nuk është lënë pa u përmendur edhe çështja e kushteve aspak të mira të këtyre ushtarëve, ku ndër të tjerash ishte diskutuar edhe për mos-sigurimin e transportit për shumë pjesëtarë të FSK-së, të cilët detyrohen që këtë ta sigurojnë vetë.

Pavarësisht largimeve të shumta, në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë hapur vazhdimisht konkurse për pranimin e të rinjve dhe të rejave, që të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës.

Sa i përket ndryshimeve në FSK, në Kuvendin e Kosovës së fundi është miratuar Strategjia e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027. Përmes këtij dokumenti Strategjik u jepet drejtim institucioneve të në unifikimin e politikave të cilat do të kenë ndikim direkt në sigurinë e çdo qytetari dhe në ruajtjen e paqes në përgjithësi.

Pas kësaj, nga Ministria e Mbrojtjes ishte thënë se investimi i vazhdueshëm në FSK përmes rritjes së buxhetit për më shumë se 52%, ka mundësuar furnizimin me armatime moderne si dhe avancimin në përgatitjen profesionale të ushtarakëve.

Po ashtu është theksuar se implementimi i këtij dokumenti do të ngrisë edhe më tepër kapacitetet tona të mbrojtjes dhe vigjilencës sa i përket gjendjes së sigurisë në vendin tonë, por edhe përtej kufijve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco