Lladrovci: Draft-ligji për pagat në sektorin publik, degradues për nivelin lokal

Lladrovci: Draft-ligji për pagat në sektorin publik, degradues për nivelin lokal

19:00, 04/12/2022

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka paraqitur kritikë ndaj Draft-ligjit për pagat në sektorin publik, ku evidenton disproporcion të pagës së zëvendësministrit, si i emëruar politik me kryetarët e komunave, të zgjedhur me votën e qytetarëve.

 Lladrovci thekson se “këto përgjegjësi nuk reflektojnë nivelin e pozicionimit të një kryetari komune në Draft-ligjin e pagave. Emërimi politik i një zëvendësministri bëhet më i rëndësishëm dhe më i çmuar se një kryetar komune i zgjedhur me demokraci të drejtpërdrejtë”.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Draft-ligji për pagat në sektorin publik, degradues për nivelin lokal

Ta lësh kryetarin e një komune (përjashto Kryetarin e Kryeqytetit) të pozicionuar me pagë më poshtë se sa një zëvendësministër, shpërfaq më së miri tendencën që ka ky pushtet në raport me nivelin lokal. Ka mos përputhje totale të përgjegjësive që kanë këto dy pozita të larta, sipas ligjeve në fuqi.

Ja një ilustrim: Sipas Ligjit për Organizimin e Administratës, Zëvendësministri ndihmon ministrin dhe është pjesë e hierarkisë administrative, zëvendëson ministrin në rastet e mungesës së tij të përkohshme apo për përgjegjësitë e deleguara shprehimisht nga ministri.

Kurse sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, përgjegjësitë e kryetarit të komunës janë tejet të mëdha, përveç që zgjedhet direkt nga qytetarët, kryetari i komunës ndër të tjera ka këto kompetenca:

Përfaqëson komunën dhe vepron në emër të saj; udhëheq ekzekutivin e komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyr administrimin financiar të komunës; ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të komunës apo komiteteve të tij.

Pra, si të tilla, këto përgjegjësi nuk reflektojnë nivelin e pozicionimit të një kryetari komune në Draft-ligjin e pagave. Emërimi politik i një zëvendësministri bëhet më i rëndësishëm dhe më i çmuar se një kryetar komune i zgjedhur me demokraci të drejtpërdrejtë.

Kjo mund të jetë e qëllimshme apo nga padituria (mbetet për t’u parë dhe vlerësuar),  por është edhe një arsye shtesë që Kosova të mbetet edhe më tutje pa ligj të pagave, ngase ky Draft nëse kalon në Kuvend  siç është propozuar nga Qeveria, do ta ketë fatin e ligjit paraprak, me konstatimin si jo kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco