'Neglizhencë nga Policia', IPK angazhon grup hetimor në trajtimin e rastit të vrasjes së 35-vjeçares

'Neglizhencë nga Policia', IPK angazhon grup hetimor në trajtimin e rastit të vrasjes së 35-vjeçares

17:26, 01/12/2022

Inspektorati Policor i Kosovës ka angazhuar një grup hetimor nga dy departamente të ndryshme operative për trajtimin e rastit të vrasjes së 35-vjeçares nga ish-bashkëshorti në oborrin e QKUK-së.

Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka.

I njëjti bëri të ditur se do bëhet grumbullimi i të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë që lidhen me rastin e mbrëmshëm.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilët janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë. Veprimet tjera do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me institucionet tjera relevante”, tha Beka.

Po këtë kërkesë, gjatë ditës së sotme e pati edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili kërkoi nga IPK që të hetohen zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast.

Sveçla tha se arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti, derisa ka ftuar edhe qytetarët që të bashkëpunojnë për kapjen e autorit, dhe se kërkoi raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.

I dyshuari për vrasjen e 35-vjeçares, ish-bashkëshorti Sokol Halili ndodhet ende në arrati.

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim të dyshuarin, Sokol Halili nga fshati Godancë i Shtimës, si të dyshuar për vrasjen e mbrëmshme të ish-gruas së tij në oborrin e QKUK-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco