Qyteza e bashkëjetesës etnike: shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe të tjerë Graçanica - një prej komunave më të mëdha të banuara me shumicë serbe në Kosovë

Qyteza e bashkëjetesës etnike: shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe të tjerë

07:32, 28/11/2022

Megjithë problemet politike mes Kosovës dhe Serbisë qyteza e Graçanicës ka disa vite që dëshmon bashkëjetesën ndëretnike. Bizneset aty përfshijnë shqiptarë, serbë, boshnjakë si dhe komunitete të tjera.

Nga DW

Nëntë vite më parë Andreas Wormser la Zvicrën për të jetuar në Graçanicë të Kosovës. Që nga viti 2013 ai menaxhon biznesin e tij, një hotel ku punojnë së bashku shqiptarë, serbë dhe romë. Qyteza e Graçanicës është një prej komunave më të mëdha të banuara me shumicë serbe në Kosovë. E kaluara e hidhur mes serbëve dhe shqiptarëve duket se është tejkaluar në këtë biznes, i cili është një model frymëzues në zonë. "Për dhomat e hotelit kemi më së shumti klientë ndërkombëtarë, kurse mysafirët ditorë janë të përzier, pra të nacionalisteve të ndryshme, shqiptarë nga Kosova, ndërkombëtarë dhe serbë”, thotë Andreas duke përshkruar diversitetin në zonë.

Ky "hotel i bashkëjetesës etnike” dhe historia e tij e suksesit kanë tërhequr vëmendjen e mysafirëve vendas dhe atyre të huaj që vijnë për të vizituar Kosovën. Eksperiencat e stafit që punon në këtë  janë pozitive.

"Bashkëpunimi me klientët shqiptarë është në nivelin e duhur. Më ka ndodhur shpesh që kur nisem nga shtëpia për ne punë në makinë më marrin shqiptarët e Kosovës dhe më sjellin deri në punë”, tregon Milos Peric, recepsionist i hotelit dhe banues në Graçanicë. Ky diversitet dhe bashkëpunim i ndërsjellë mes komuniteteve duket se u ka rënë në sy edhe të huajve.

Hans-Peter Dörig – vizitor nga Zvicra që ka ardhur për vizitë në Kosovë, thotë se ka dijeni për të kaluarën e hidhur të luftës. Sipas tij lufta është një burim përfitimi për politikën dhe humbje për njerëzimin. "Kam punuar në një kamp refugjatësh në Zvicër, ku vinin njerëz nga e gjithë bota, si Kosova, Bosnja e të gjitha këto vende dhe ndihesha i trishtuar. Mendimi im është se lufta nuk ka të bëjë me njerëzit. Lufta ka të bëjë me paratë dhe politikanët që luftojnë me njëri-tjetrin, ndërsa njerëzit vuajnë”, thotë Hans-Peter Dörig.

Gazetarja shqiptare, Merjeme Denis, e cila punon për Radio Televizionin e Kosovës, nuk i thotë "jo” një kafeje në një nga restorantet apo lokalet e komunave me shumicë serbe.

Ajo thotë se pavarësisht së kaluarës populli i Kosovës duhet të gjejë forcën që e ardhmja të jetë ndryshe, në mënyrë që historia të mos përsëritet. "Ne lufta na ka shkatërruar, na ka sjellë shumë të këqia, por duhet të pajtohemi me faktin që duhet të jetojmë me njerëzit në Kosovë pa marrë parasysh kushdo të jetë ai apo çfarë kombësie ka”, thotë Mejremja.

Ky tekst u përgatit në kuadër të projektit "Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes" organizuar nga RYCO në bashkëpunim me DW./Nga  Albulena Mavraj, Butrint Avdyli

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco