Serbia po na kërcënon me sjellje ushtarake që nga 1999, thotë Kurti nga Spanja

Serbia po na kërcënon me sjellje ushtarake që nga 1999, thotë Kurti nga Spanja

08:13, 26/11/2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij pas zgjedhjes së kryetarit të Kongresit të Internacionales Socialiste, ku u zgjodh kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, ka thënë se Serbia ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe se vazhdimisht ka kërcënuar me luftë që nga çlirimi i saj.

“Fatkeqësisht, fqinji ynë në veri, dhe ai me të cilin Republika e Kosovës ndan kufirin më të gjatë, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj nesh dhe me lidhje të gjera dhe të ngushta me Kremlinin. Që nga ndërprerja e luftës në vitin 1999, ata na kanë kërcënuar vazhdimisht me sjellje luftarake. Deri më sot, ata kanë 48 instalime ushtarake dhe xhandarmërie në të gjithë kufirin e saj me Kosovën. Për më tepër, që nga shpallja jonë e pavarësisë në vitin 2008, ajo është angazhuar vazhdimisht në fushata që synojnë të minojnë shtetësinë tonë”, ka deklaruar Kurti, duke argumentuar se Serbia është i vetmi vend jo-demokratik në Ballkanin Perëndimor.

“Edhe pse në vitin 2010 Serbia kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë sonë, ajo ka zgjedhur të mos respektojë gjetjet e gjykatës. Kohët e fundit, ajo është përpjekur të përdorë ndikimin e saj në pjesën veriore të vendit tonë për të minuar sundimin e ligjit në atë rajon”, ka deklaruar ndër të tjera kryeministri Kurti.

Ai ka vlerësuar se në Serbi vazhdon të dominojë sistemi autoritar, teksa ka theksuar se nuk është në gjendje të pranojë krimet e luftës, “e lëre më të kërkojë falje për to”.

Kurti atje ka përmendur edhe rritjen e pretenduar ekonomike në Republikën e Kosovës, teksa ka argumentuar demokracinë e shtetit me fitorën plebishitare të tij në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Në këto rrethana, përvoja e fundit e Kosovës ofron një shembull pozitiv për të kundërtën dhe një fije shprese shumë të nevojshme”, ka deklaruar ndër të tjera i pari i ekzekutivit kosovar.

I pari i Qeverisë kosovare ka mbyllur fjalimin duke u bërë thirrje socialistëve dhe socialdemokratëve ta “shpëtojnë planetin nga rishfaqja e valës fashiste”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco