Molliqaj Institutin për Krime Lufte që do të funksionojë në zyrën e Kurtit e quan të njëjtë me Gjykatën Speciale

Molliqaj Institutin për Krime Lufte që do të funksionojë në zyrën e Kurtit e quan të njëjtë me Gjykatën Speciale

20:55, 07/10/2022

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka quajtur Institutin për Krime Lufte, të themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe të miratuar sot në Kuvendin e Kosovës, si zgjatim të Gjykatës Speciale.

Ai një deklarim të këtillë e ka bërë në ‘Facebook’, duke thënë se sikurse Gjykata Speciale, edhe ky institut ka periudhën e hulumtimit nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.

“Instituti për Krimet e Luftës proklamohej si korrigjim nga devijimet e Speciales. Na thuhej se mungesa e tyre na e ka sjellur Specialen. Shikoni tash, formuam Institutin për ta bërë zgjatim të saj. Instituti e ka sanksionuar periudhën e luftës në përputhje me tendencën që ka për qëllim ndryshimin e rrëfimit historik. Periudha e hulumtimit dhe kompetencës së Institutit është nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Bash sikur Gjykata Speciale. Na thuhej pa menduar se do të paditej Serbia për gjenocid, ndërkohë po na e vulosin Specialen gjithandej, në ligje e në frymë”, deklaroi ndër të tjera ai.

Periudha kur ka vendosur që ky institut të hulumtojë krimet e luftes ka ngritur pakënaqësi edhe tek opozita sot në Kuvend.

Sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ky projektligj duhet të bëhen ndryshime dhe plotësime të mëdha të strukturës së tij. Ai ka shtuar se me këtë strukturë të prezantuar do të bëhet gabimi i vitit 2011, duke konsistuar në Gjykatën Speciale.

“Në republikën tonë, institutet themelohen në dy forma, e para ato në bazë të Ligjit për Hulumtim dhe Kërkim Shkencor, që është përgjegjësi e ministres së Arsimit dhe e dyta si organizata jo-qeveritare. Dhe sot ne po e ndjekim një rrugë të tretë për themelimin e këtij instituti. Po themelojmë një Institut për Hulumtimin, Kërkimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Luftës. Por, kur e merr dhe e sheh strukturën e këtij ligji, realisht që e sheh që nuk po themelojmë një institut, por po themelojmë një agjenci qeveritare pranë Zyrës së Kryeministrit. A është mënyra e duhur me një agjenci qeveritare pranë Zyrës së Kryeministrit që të hulumtohen, hetohen, dokumentohen krimet e kryera të luftës? Unë nuk besoj që është. Prandaj struktura të cilën ne sot po e debatojmë, e shohim që realisht nuk po flasim për themelimin e një Instituti që do të bëjë hulumtim shkencor”, deklaroi ai.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në seancë plenare ka pasur kritika për këtë projektligj.

“Instituti i cili dokumenton krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, jo Institut për Krime të Luftës, sepse është jo-logjik. Institut për dokumentimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë do të kishte shumë kuptim. Ky ka një paradoks këtu dhe duhet të rishikohet seriozisht. Çështja e dytë ka të bëjë me fushë veprimtarisë, neni 2 fillimisht flet për periudhën e luftës e që përcakton datën 1 janar 1998 dhe përfundimin e saj 20 qershor 1999. Këto janë data të cilat edhe mekanizmat ndërkombëtarë na i njohin si proces që ka ndodhur lufta në Kosovë. Por, pika më pas thotë hulumtimi dhe dokumentimi nga paragrafi 1 mund të i këtij neni mund të aplikohet edhe për krimet e kryera pas përfundimit të luftës, jo më larg se me datën 31 dhjetor 2000. Po flasim për një periudhë një vit e gjysmë pas lufte. A është kjo koincidencë që të lidhet me mandatin e Gjykatës Speciale apo vërtetë ka vlerësime të tilla që vetëm deri në këtë periudhë janë kryer krime që lidhen me luftën, duhet të jap sqarime sponzoruse. Pse bash me këtë datë. Pse edhe një vjet e gjysmë, pse edhe dy vjet pas luftës, ose gjashtë, shtatë para luftës?”, ka deklaruar ai. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco