Abdixhiku reagon nga Prizreni: Kosova ka nevojë për shpresë dhe jo frikë

Abdixhiku reagon nga Prizreni: Kosova ka nevojë për shpresë dhe jo frikë

23:39, 05/10/2022

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar sot qytetarët e komunës së Prizrenit në ciklin e takimeve “LDK ju dëgjon”, ku ndër të tjera foli edhe për qeverisjen aktuale në vend, shkruan Syri.net Kosova.

Sfidat e qytetarëve, tha Abdixhiku, nuk bëhen më të lehta me propagandë e arsyetime, duke aluduar në videon propaganduese të cilën e publikoi pak ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, Qeveria Kurti po synon nënshtrimin, përmes hakmarrjes e dënimit të qytetarëve, si rasti i mosekzekutimit të pagave për mësimdhënësit grevistë, që ai thotë se la 25 familje kosovare pa të hyra.

“Sot, 25 mijë familje kosovare kanë mbetur pa të hyrat e tyre. Qeveria e vendit ka vendosur hakmarrjen e dënimin si formë të nënshtrimit. Mungesa e ndjeshmërisë ndaj njerëzve të këtij vendi, në kohë të krizës më të madhe të dekadës së fundit, është nivel i ri i ulët i qeverisjes.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Ai ka thënë se në vend të frikës e zymtësisë, Kosova ka nevojë për shpresë.

Postimi i plotë:

Sot, ciklin e takimeve “LDK ju dëgjon” e vazhduam në Prizren. Aty takuam qytetarë me rrëfime individuale nga më të ndryshmet rreth papërballueshmërisë e sfidave të tyre përditshme. Këto sfida s’bëhen më të lehta me propagandë e arsyetime; edhe më pak me nxitje të krizave.

Sot, 25 mijë familje kosovare kanë mbetur pa të hyrat e tyre. Qeveria e vendit ka vendosur hakmarrjen e dënimin si formë të nënshtrimit. Mungesa e ndjeshmërisë ndaj njerëzve të këtij vendi, në kohë të krizës më të madhe të dekadës së fundit, është nivel i ri i ulët i qeverisjes.

Shoqëria kosovare ka nevojë për unitet para përçarjes; ka nevojë për zhvillim para mbylljes; ka nevojë për solidaritet para braktisjes. Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për shpresë para zymtësisë e frikësimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco