Miliarderi Musk i çoi në këmbë kosovarët

Miliarderi Musk i çoi në këmbë kosovarët

13:57, 04/10/2022 Nga Syri.net Kosova

Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, së fundi ka ndezur një stuhi në internet me “planin e paqes” për t’i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi.

Musk, madje sugjeroi një qasje të ngjashme me të Kosovës, për territoret ukrainase, që po tentohen të aneksohen nga Rusia, por pa e elaboruar më qartë se çfarë donte të thoshte me këtë.

“Ndoshta një qasje të ngjashme si me Kosovën?”, ka shkruar Musk dhe ia ka bashkëngjitur artikullin e Britannica për  “vetëshpalljen e pavarësisë nga Kosova”.

Reagime të menjëhershme pati nga kosovarët, që fjalët e Muskut i shihnin si të pavenda dhe joserioze.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se më e mira që Musk mund të bëjë është të qëndrojë jashtë kësaj çështjeje.

“Më e mira që mund t’i bëni botës është të keni një tjetër anije kozmike për udhëheqjen e Rusisë dhe Serbisë, sepse me trashëgimitë e tyre gjenocidale dhe luftarake janë bërë të pashëndetshme për tokën. Nëse nuk mund ta bëni këtë, atëherë më mirë qëndroni jashtë!”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

E nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, u çudit me fjalët e miliarderit, duke e cilësuar atë si “i dehur”.

“Seriozisht?!!!! Ju jeni i dehur”, ka shkruar Çitaku në Twitter.

Ndërkaq, ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, tha se Musk është plotësisht gabim në atë që thotë, duke shtuar se në Kosovë është bërë spastrim etnik nga Serbia.

“Kësaj radhe e keni plotësisht gabim. Putini po përpiqet të bëjë krahasime të tilla. Kosova ka qenë një territor i pushtuar nga Serbia për një shekull, ata shtypën shqiptarët etnikë, bënë aparteid, kryen krime, shkelje masive të BNJ, spastrim etnik”, ka shkruar Lama në Twitter.

Edhe ish-ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, tha se miliarderi e ka gabim, pasi rruga e Kosovës drejt pavarësisë ishte krejtësisht e ndryshme.

“Eloni e ka gabim këtu. Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ishte krejtësisht e ndryshme. Serbia ekzekutoi një plan gjenocidal kundër popullit të Kosovës. Ata do të kishin pasur sukses nëse NATO nuk do të kishte ndërhyrë për ta ndaluar atë. Dhe pavarësia mbeti e vetmja mënyrë për të mbrojtur lirinë tonë”.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i propozoi miliarderit të lexonte disa libra, në mënyrë që të kuptonte më mirë situatën e Kosovës.

“Lexoni disa libra nëse doni të kuptoni më mirë Kosovën dhe Ukrainën! Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë, ndërsa Rusia kërkon të marrë toka që nuk i takon. Ju keni një tregim rus. Qëndroni larg kësaj nëse nuk jeni të informuar për detajet”, ka shkruar Hoxhaj në Tëitter.

Edhe ministri tjetër i jashtëm Petrit Selimi, e ka vlerësuar si jo serioz postimin e pronarit të Teslas.

“Vlerësoni vëmendjen dhe disa mendime që i keni dhënë Kosovës, Elon, por le të pyesim ukrainasit, aktualisht nën një kërcënim real gjenocidal nga një regjim diktatorial, vrasës, se si duan ta shohin të ardhmen e vendit të tyre”, ka shkruar Selimi.

Ndërkaq, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, e cilësoi atë si ambasador të vetëshpallur të Rusisë në Twitter: “Zonja dhe zotërinj, Elon Musk – ambasadori i vetëshpallur i Rusisë në Twitter”.

Propozimi i Musk ndezi reagime edhe nga diplomatë ukrainas, zyrtarë rusë, tifozë të sipërmarrësit miliarder dhe madje edhe disa presidentë.

Plani i tij, erdhi në të njëjtën ditë kur parlamenti rus votoi për të zyrtarizuar aneksimin e  paligjshëm të katër rajoneve të Ukrainës nga Moska, pas referendumeve të organizuara në territore javën e kaluar.

Plani i Musk filloi me këtë sugjerim: “Ripërsërisni zgjedhjet e rajoneve të aneksuara nën mbikëqyrjen e OKB-së. Rusia largohet nëse ky është vullneti i popullit”.

Pika e tij e dytë “Krimeja formalisht pjesë e Rusisë, siç ka qenë që nga viti 1783 (deri në gabimin e Hrushovit)”. Ndwrsa, dy pikat e tij të fundit kërkuan që Ukraina të mbetet “neutrale” dhe që furnizimi me ujë në Krime të “sigurohet”.

Disa orë pas postimit të tij, më shumë se 1.6 milionë vota u hodhën në sondazhin në Twitter, ku 63.2 për qind votuan “jo” dhe 36.8 për qind votuan “po”.

Llogaria zyrtare në Twitter e parlamentit të Ukrainës u përgjigj thjesht, “Jo”. Ndërkaq ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andrij Melnyk, zgjodhi disa fjalë për Musk.

“F— off është përgjigja ime shumë diplomatike për ju Elon Musk”, shkroi ai.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri një sondazh të tijin në Twitter: Cili Elon Musk ju pëlqen më shumë? Kishte dy përgjigje të mundshme: “Ai që mbështet Ukrainën” dhe “Ai që mbështet Rusinë”.

Por edhe mes reagimit të ashpër, Musk nuk u dorëzua.

“Le ta provojmë këtë atëherë: Vullneti i njerëzve që jetojnë në Donbas dhe Krime duhet të vendosë nëse ata janë pjesë e Rusisë apo Ukrainës”, shkroi ai në Twitter me një sondazh “po” ose “jo”.

Për këtë, presidenti lituanez Gitanas Nauseda u përgjigj: “I dashur Elon Musk, kur dikush përpiqet të vjedhë rrotat e Teslës suaj, kjo nuk e bën atë pronar ligjor të makinës apo të rrotave. Edhe pse ata pretendojnë se të dy votuan pro. Thjesht po them”.

Musk ka luajtur një rol interesant në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, në një mënyrë karakteristike jo konvencionale. Menjëherë pas pushtimit të Rusisë, Musk njoftoi se terminalet e internetit satelitore Starlink, të cilat i ndihmojnë njerëzit të hyjnë në internet përmes satelitit, po dërgoheshin në Ukrainë. Ai gjithashtu sfidoi Putinin në një luftë kokë më kokë. Musk nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco