Kryetari i Këshillit Gjyqësor: Ulja e pagave do ta ulë motivin për punë të gjyqtarëve

Kryetari i Këshillit Gjyqësor: Ulja e pagave do ta ulë motivin për punë të gjyqtarëve

11:31, 01/10/2022

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj thotë se Projektligji për paga i cili aktualisht ndodhet në diskutim publik është i papranueshëm për sistemin gjyqësor. E të njëjtin mendim Zogaj ndan edhe për Projektligjin për zyrtarët publik. Sipas tij të dy këto dy ligje rrezikojnë sistemin gjyqësor dhe pavarësinë e sistemit.

Zogaj, në një intervistë për KosovaPress, shprehet se të dyja këto dokumente nuk janë në pritshmëritë e KGJK-së, pasi ai i Pagave ul rrogat e gjyqtarëve deri në 40%, ndërsa për Zyrtarët Publik vështirëson procedurat e rekrutimit për stafin e administratës.

Sipas tij të dy këto projektligje janë n kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas draftit fillestar nën supozimin se koeficientet do të jenë ato që janë diskutuar edhe në publik, pagat e gjyqtarëve do të ulën deri në masën 40% dhe kur kemi parasysh edhe inflacionin në masë 20% kjo është definitivisht një qasje krejtësisht e papranueshme në Ligjin aktual për pagat, por e njëjta logjik vlen edhe për Ligjin për zyrtarët publik sepse ne si institucion i pavarur duhet për çdo pozitë të marrim një konfirmim nga ministria përkatëse, diçka që e vështirëson shumë procesin e reduktimit të zyrtarëve. Ne kemi dhënë argumente tona që janë edhe kushtetuese por edhe referencat ndërkombëtare por edhe të brendshme që paga e gjyqtarit nuk mund të ulet… Ky draftligj duhet të korrektohet dhe duhet të shikohet me vëmendje të veçantë edhe statusi i gjyqtarëve në kuptimin e pagës por edhe administrata gjyqësore”, thotë Zogaj.

Kreu i KGJK-së konsideron se ulja e pagave të gjyqtarëve do të ndikojë në humbjen e motivit për punë, por edhe do të rris rrezikun për korrupsion.

“Ne do të kemi dekurajim të të rinjve për t’u bërë pjesë e sistemit gjyqësor, nën dy do të largohen besoj një numër i gjyqtarëve të mirë që i kemi në sistem që kanë ekspertizë të lartë profesionale sidomos në nivele të larta gjyqësore pa asnjë diskutim sepse nuk und të jenë të motivuar për punë, madje ne duhet pas parasysh se të gjithë bëjnë planifikime sipas pagës që marrim dhe një pjesë e mirë e tyre dhe obligime ndaj institucioneve financiare për shkak se kanë bërë investimit në familje, dhe ajo që është po ashtu e rrezikshme dhe është shqetësim serioz i Këshillit Gjyqësor ka gjasa edhe mund të ketë korrupsion në sistem nëse ulet pagat. Nuk mund të justifikohet performanca e gjyqësorit, ose kritika ndaj gjyqësorit, me uljen e pagës. Pra, nënkupton se duhet të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë, funksional, objektiv të vlerësimit të performancës dhe disiplinimit por nuk mund të kushtëzohet me pagën në asnjë mënyrë. Ka vërejte ndaj gjyqësorit edhe ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm edhe për efikasitetin edhe për cilësinë por ajo që shihet besoj sepse transparenca është në maksimumin në sistem gjyqësor shihen përpjekjet e sistemit për të ngritur nivelin e efikasitetit në të gjitha gjykatat”, theksoi ai.

“As që diskutohet (dërgimi në Kushtetuese), Këshilli Gjyqësor është organ, respektivisht institucion që administron gjyqësorin dhe përgjegjësia numër një e këtij organi është ruajtje e pavarësisë së gjyqësorit, prandaj, pavarësia e gjyqësorit duhet të shikohet edhe në dimensionin që të duhet statusi i gjyqtarëve të avancohet, statusi i gjyqtarit në kuptimin e njëjtë me referenca në rajon dhe më tej, por edhe në dimensione të tjera që mund të atakohet sepse Ligji për zyrtarët publik e redukton pavarësinë e gjyqësorit për rekrutimin e stafit, ne kemi punuar me vite sidomos prej viti 2013 është punuar shumë në avancimin e gjyqësorit dhe krijimin e parakushteve dhe tani është absolutisht e papranueshme çfarëdo iniciative që tenton me të reduktojë pavarësinë e gjyqësorit”, u shpreh Zogaj.

Në lidhje me procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë, i cili është kundërshtuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zogaj beson se si i tillë nuk do të arrijë të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

“Para një viti e gjysmë kemi thënë se kjo qasje nuk kalon, pra çka do të ndodh do të humbin kohën dhe mundësinë e bashkëpunimit të institucioneve dhe koordinimit me mënyrën më të mirë të mundshme sepse kanë ekzistuar vullnetet. Pra, unë jam thellë i bindur që kjo qasje nuk mund të kalojë, do të kalojë patjetër dhe do të bëhet patjetër krijimi i mekanizmave të brendshëm sepse është edhe vlerësim i yni dhe do të bëhet vettingu permanent. Ne mund të kalojmë procese vettingu ad-hock çdo pesë vite, 10, 15 vite nuk e duron sistemi. Sistemi do garanci, askush nuk bëhet pjesë e sistemit duke llogaritur se cilado parti që vjen në pushtet do të bëjë vetting, jo neve na duhen mekanizmat e brendshëm të verifikimit në mënyrë adekuate profesionale të kandidatëve për gjyqtarë që është proces permanent dhe definitivisht jemi të gatshëm… ne do të humbim 1 vit e gjysmë, dy vite kohë dhe në fund të gjithë do të ulemi në tryezë për të diskutuar atë që e ka dhënë si propozim KGJK, ndryshimin e ligjeve sistemore për sistemin e drejtësisë, Ligjin për KGJK, për gjykatat, për përgjegjësinë disiplinore këto janë mekanizmat nuk mund të dal përtej kësaj”, theksoi ai.

Zogaj tha se kundërshtimi i KGJK-së asnjëherë nuk duhet të shihet si sfidë ndaj dikujt por si përpjekje për të ruajtur atë që është ndërtuar me shumë mund në këtë sistem.

“Ka pas një qasje jo të pranueshme për KGJK-në sepse është shkuar në opsionin e fundit pa u testuar dhe pa u vlerësuar opsionet e tjera dhe ky kundërshtim i Këshillit tash pas opinionit të Venecias nuk vjen për shkak se është bërë vetting për KGJK, absolutisht jo, sepse të gjithë anëtarët e Këshillit do të ishin të gatshëm për performacnën e gjyqësorit dhe një sistem më të avancuar, të gjithë do të ishin të gatshëm në mënyrë vullnetare të lironin pozitën që kanë në sistem gjyqësor, por neve na duhet vlerësimi pse duhet të ndodh një ndryshim kushtetues për të bërë një vetting të anëtarëve të Këshillit ose kryetarit të gjykatave pa u testuar format e tjera të cilat kanë qenë në adresim të opsionit të Venecias dhe rrjedhimisht edhe në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Asnjëherë nuk duhet të shihet kundërshtimi si sfida e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor se të gjithë e dinë se vetë ndryshimet kushtetuese dhe aktet pasuese do të marrin periudhën e duhur dhe ndoshta të gjithë do të përfundojnë mandatin, nuk është ky shqetësimi, shqetësimi është për të ruajtur atë që është ndërtuar me shumë mund”, shprehet kryesuesi i KGjK-së.

Lidhur me mospajtimet në mes të KGJK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, kreu i këtij Këshilli, Albert Zogaj thotë se fatkeqësisht ka më shumë protestim të institucioneve dhe jo veprime konkrete që do ndikonin në përmirësimin e gjendjes së gjyqësorit në Kosovë.

“Të gjitha institucionet duhet të jenë në respekt të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore duke respektuar pavarësinë e institucioneve. Absolutisht nuk ka, asnjë lloj hezitimi dhe kritike për njerëzit që protestojnë nuk është e natyrshme që institucioni të protestojë, institucionet ndërmarrin veprime, ndërmarrin masa, zbatojnë politika të shëndetshme për zhvillimin e institucionit dhe përgjegjësive të tyre. Pra, ne këtu për fat të keq kemi më tepër një lloj protestimi të institucioneve përmes një institucioni tjetër dhe jo veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor, në këtë kontekst unë nuk e shoh mirë gjuhën që përdorin institucionet me replikat e tyre, përndryshe kundërshtimet janë të zakonshme. Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht kësaj ne kemi pas komunikim të mirë me MD madje kemi pas edhe nisma të përbashkëta, Këshilli Gjyqësor është i hapur dhe realisht kemi mbështet të gjitha iniciativat e MD-së“, shprehet ai.

Sistemi gjyqësor në Kosovë, vazhdimisht kritikohet për vonesa në trajtimin e lëndëve dhe pritje të gjata të palëve. Por, për këtë çështje, kryesuesi i KGJK-së thotë se trajtimin e lëndëve brenda afatit ligjor e ka prioritet.

Madje ai ka shpalosur edhe disa nga veprimet që i kanë ndërmarrë si Këshill në këtë drejtim.

“Brenda një viti ne kemi avancuar pesë gjyqtarë në Gjykatën Supreme dhe këtë mënyrë kemi krijuar kapacitet dhe parakushte të mjaftueshme që Gjykata Supreme të luaj rolin e saj kushtetues dhe ligjor për përcaktimin e standardeve të praktikave ligjore në sistem. Njëkohësisht kemi punuar shumë me Gjykatën e Apelit vetëm në periudhën prej 1 vit janë avancuar 16 gjyqtarë, gjithmonë kemi parasysh se ka pasur edhe disa pensionime, por i kemi në proces edhe 5 gjyqtarë të cilët do të rekrutohen respektivisht do të avancohen deri në fund të vitit. Njëjtë kemi punuar edhe me Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ndërkohë për gjykatat e nivelit të parë themelore, kemi rekrutuar një proces ka qenë me 49 gjyqtarë që janë tani në programin fillestar… Pra krejt kjo është një përpjekje maksimale e sistemit që definitivisht të kemi një performancë ndryshe të sistemit kur i shtojmë kësaj edhe rregulloren për normat kur dihet saktësisht pra mund të matet saktësisht se sa do të jetë performanca e gjyqësorit ne besojmë që jemi në rrugë të mbarë por themi se kapacitetet tona ende nuk janë të mjaftueshme që në nivelin e shkallës së parë në gjykatat tona të arrijmë me i trajtua çështjet brenda periudhës brenda 6 muaj sa në princip është standard për ta trajtuar këtë çështjet”, u shpreh Zogaj.

Zogaj u shpreh po ashtu se politika ndëshkimore në gjyqësor ka nevojë për përmirësime dhe se po punojnë edhe në këtë drejtim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco