Po punohet për liberalizimin e vizave për Kosovën, por s'ka datë

Po punohet për liberalizimin e vizave për Kosovën, por s'ka datë

13:30, 29/09/2022

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, ka thënë se po punojnë për të shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave, mirëpo nuk mund të parashikohet një datë e saktë se kur mund të ndodh.

Në vizitën e tij të parë në Kosovë të enjten, Lipavsky tha se vendimi politik për liberalizimin e vizave për Kosovën shpreson të ndodh gjatë këtij viti, nën presidencën çeke të BE-së. Mirëpo, sipas tij, ky është një proces edhe teknik, andaj BE-ja do ta rishikojë këtë pjesë.

Në konferencën e përbashkët për media me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kryediplomati çek tha se përkrahin Kosovën edhe në çështjen e sundimit të ligjit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si NATO dhe BE.

“Mesazhi ynë është i qartë, qytetarët e Kosovës mund të llogarisin në përkrahjen çeke sa i përket sundimit të ligjit, por edhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare përfshirë BE-në e NATO-n. Vizita ime e parë në Kosovë vjen në momentin kur Republika Çeke e ka Presidencën e BE-së. Dua të theksoj se Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosova, është ndër prioritetet rajonale. E përpjekjet tona fokusohen tek të bërit progres në procesin e integrimit, përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Aty duhet të bëhet ende punë, por jemi në rrugë të drejt dhe shpresojmë se do të gjejmë përkrahje politike që ky proces të përfundojë. Janë takime teknike që pritet të rezultojnë me vendim pozitiv për Kosovën dhe Presidenca çeke po punon në këtë fushë e po e përkrahim këtë… Për të kuptuar drejtë, është një proces që bëhet nga aspekte teknike dhe vendime politike. Shumë shpejtë BE-ja do të rishikojë pjesën teknike dhe shpresoj që presidenca çeke të ketë vendim politik, që liberalizimi të ndodhë. Pastaj kthehemi te aspekti teknik dhe është e vështirë që të parashikohet një datë e saktë se kur ato procese do të përfundojnë”, tha ai.

I bindur në përkrahjen çeke për liberalizimin e vizave u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi, i cili tha se vënia e Kosovës në agjendë për liberalizimin e vizave më 13 tetor është një hap shumë i rëndësishëm, por jo përfundimtar.

“E çmojmë faktin se ju e keni vendosur lartë agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova do të jetë në agjendë më 13 tetor. Ky është hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar për liberalizimin e vizave. Janë pesë procedura, por ne kemi besim të plotë se Çekia do ta shtyjë përpara këtë proces sa është në krye të BE-së dhe menjëherë do të kemi një mesazh të mirë për qytetarët tanë”, tha Bislimi.

Krahas liberalizimit të vizave, kryediplomati Lipavsky, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ai tha se dy vendet duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut.

“Dua të them se normalizimi i marrëdhënieve është aspekt qenësorë për procesin e integrimit evropian. Pa sukses në këtë fushë është e pamundur të kemi sukses të përafrimit në BE. Do të doja të shpreh përkrahjen time për Lajcak dhe BE-së për t’i ndihmuar Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet. Duhet të dy palët të respektojnë e implementojnë marrëveshjet e arritura përmes dialogut”, tha Lipavsky.

Për këtë proces, i dyti i Qeverisë në Kosovë, tha se janë konstruktivë dhe janë të gatshëm gjithmonë për të ofruar ide dhe propozime që do të kontribuonin në normalizimin e plotë me Serbinë.

“Po ashtu e informova zotëri Lipasvckyn se Qeveria jonë që nga fillimi është përfshirë në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë dhe gjithmonë jemi të gatshëm për të ofruar ide, propozime dhe zgjidhje të cilat do të kontribuonin në një normalizim të plotë me Serbinë dhe i njëjti ta ketë të qartë rezultatin, afatin dhe të ketë parime të qarta”, theksoi Bislimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco