Muja akuzon Shalën, duke  e bërë përgjegjës për shkatërrimin e Trepçës

Muja akuzon Shalën, duke e bërë përgjegjës për shkatërrimin e Trepçës

12:23, 29/09/2022

Lidhur me furnizimin me energji në minierën e Trepçës dhe rënies së performancës së kësaj ndërmarrje publike, ka pasur një përplasje të ashpër me akuza dhe kundër akuza mes deputetit Armend Muja dhe kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.

Gjatë raportimit në këtë komision të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deputeti nga PDK-ja, Shala ka konstatuar se në këtë qeverisje, Trepça është duke punuar me humbje qe një vit.

Për gjendjen në Trepçë, deputeti Muja tha se operimet me humbje kanë ndodhur që nga viti 2016.

Deputeti Vetëvendosjes pikërisht për këtë gjendje, drejtoi gisht nga Shala duke i thënë: “Ti e ke shkatërruar Trepçën”.

“Një korrektësi, Trepça ka punuar me humbje që nga viti 2016, tek tash janë zvogëluar humbjet. Kur kemi ardhur ne në pushtet 5 milionë euro janë paguar borxhe. Trepçën e ke shkatërruar ti personalisht me krejt konjekturën tënde. Ti, ti”, tha Muja.

Për këtë reagoi deputeti Shala, i cili e quajti të pa ditur dhe problematik, deputetin Muja.

“Armend, po më befason, sot çka paske… Armend, seriozisht nuk je askush, as politikisht as intelektualisht, as profesionalisht nuk je. Mundesh me fol me I përdorë kamerat, dhe me drejtuar gisht, por bash askushi s’je hiq. Në as një aspekt me ma drejtuar gishtin. Je një i pa ditur, je një problematik, je ai që i shfrytëzon mediat dhe një djalë që mjerisht e që është fatkeqësi e atyre që të mbajnë në këto pozicione”, tha ai.

Duke iu referuar rastit të fundit për ngujimin e minatorëve në minerë të Trepçës për disa orë, kryetari i Komisionit, Shala kërkoi përgjegjësi nga ministrja e Ekonomisë, sa i përket furnizimit me rrymë në Trepçë.

Madje, Shala tha se në minierën e Trepçës në veri nuk ndalet rryma për shkak se qeveria i qëndron gati pagesave të rrymës në atë pjesë.

“Patëm një rast aksidental para pak ditësh, për që situata është tepër më e rëndë se sa ajo që mendohet. Si do të gjenden gjatë fazës së dimrit minierat nëntokësore, në këtë rast Trepça, por minierat në veri si duken ato nuk kanë problem, sepse po iu rrimë gati me pagesa mirë”, tha Shala.

Komenti për pagesat e rrymës në veri nuk i pëlqeu ministres Rizvanolli, por shtoi se në Trepçë nuk ka ndërprerje të rrymës dhe kjo kompani është në treg të liberalizuar.

“Ky komenti i fundit nuk është fer, por si do që të jetë, e vërteta është se as në Trepçë dhe minierat tjera nuk ka ndërprerje. Trepça është në treg të liberalizuar, është furnizuar rregullisht dhe nuk është prekur nga reduktimet”, tha ajo.

Këto komente Rizvanolli i bëri gjatë shqyrtimit të vendimit për vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco