Skenarë të mundshëm të finales Kosovë-Serbi

Skenarë të mundshëm të finales Kosovë-Serbi

08:19, 22/09/2022

“Paqe pa njohje”, “Vazhdimi i ngërçit”, “Ujëra të turbullta” dhe “Njohje me ndryshimin e kufijve”, janë katër skenarët e mundshëm që deri në vitin 2027 të arrihet një marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Këta katër skenarë jepen në një dokument të përpiluar nga trembëdhjetë studiues dhe analistë politikë nga të dyja vendet.

Rezultatet e skenarëve bazohen në disa supozime, nxitjes dhe ndryshimit të politikave të katër aktorëve kryesorë në dialog (Kosovës, Serbisë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës).

Skenari i parë dhe me gjasë më i mundshëm, “Paqe pa njohje”, është shumë i përafërt me “kornizën e re” të dialogut të publikuar të dielën nga Albanian Post, i cili parasheh zgjidhjen e çështjeve të hapura Kosovë-Serbi përmes marrëveshjes me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht dhe njëkohësisht, heq dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.

Sipas këtij skenari, Kosova do të ofronte garanci shtesë për komunitetin serb që jeton në Kosovë, rrjedhimisht do ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Nga ana tjetër, Serbia do ta mbyllte Kapitullin 35, i cili kushtëzon aspiratat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) me një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën, kurse Kosova fiton njohjen e pesëshes jo-njohëse të BE-së (Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja), dhe iu bashkohet organizatave ndërkombëtare, përkatësisht Interpol-it dhe UNESCO-s, si dhe hap negociatat për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike (NATO).

Mirëpo, ky skenar, siç thuhet në raport, mund të ndryshojë varësisht nga drejtimi i veprimeve politike të palëve.

“Ky skenar parashikon një marrëveshje që përfshin gjithçka përveç njohje”.

Ndryshe, me këtë skenar parashihet edhe ulja e tensioneve dhe heqja e fjalës “luftë” nga fjalori i udhëheqësve politikë në Prishtinë dhe Beograd.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, reduktojnë pakënaqësitë me motive etnike të publikut duke ndërtuar retorikë më miqësore, duke theksuar përfitimet e një zgjidhjeje paqësore dhe marrëdhënie të mira fqinjësore”.

Skenari i dytë, parasheh një situatë pak a shumë të ngjashme me porocesin aktual ku përparimi i mëtejshëm do të bëhet i pamundur, si rrjedhojë e kundërshtimeve dhe kërkesave të palëve. Pra, arrihet stabiliteti, por jo zgjidhja e problemeve.

“Kosova dhe Serbia mbeten të barrikaduara pas pozicioneve të tyre maksimaliste: Njohje pa kushte kundrejt mosnjohjes në asnjë rrethanë. Parimet dhe kërkesat kontradiktore vazhdojnë: Serbia zyrtarisht dëshiron anëtarësimin dhe stabilitetin brendq BE-së, por nuk heq dorë nga Kosova. Kosova zyrtarisht dëshiron paqe me Serbinë, por njëkohësisht promovon retorikë armiqësore kundër Serbisë”, shpjegon raporti.

Kosova dhe Serbia do ta ruajnë status quo-në, pra do të vazhdojnë të marrin pjesë në dialogun e Brukselit, duke ruajtur atë që kanë arritur deri më tash, por pa rezultate të mëtejshme.

Rrjedhimisht, dialogu i Brukselit i ndërmjetësuar nga BE-ja do të vazhdojë qasjen e ngjashme një dekadëshe, duke trajtuar mosmarrëveshjet e vogla si çështjen e targave të veturave apo dokumenteve të identifikimit.

Kosova nuk anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, madje jo vetëm që nuk do të fitojë njohje të reja por disa shtete mund ta çnjohin atë gjatë kësaj periudhe.

“Ujërat e Turbullta”, skenari më i keq, pjesa që tregon se çfarë parashihet të ndodhë nëse dështon arritja e një marrëveshje, për nga vetë emërtimi, është shumë i paparashikueshëm dhe pak i mundshëm, megjithatë mjaft i rrezikshëm, sepse shihet ngecje e theksuar në dialog, duke mos implementuar marrëveshjet e Brukselit, si pasojë Kosova dhe Serbia do t’u kthehen armiqësive të vjetra.

“Ka disa macro-skenar brenda këtij skenari: dhuna e kontrolluar, dhuna e pakontrolluar që mund të çojë në konflikt të shkallës së plotë dhe ajo që fillon si dhunë e shkallës së ulët përshkallëzohet shpejt në konflikt të shkallës së plotë dhe nxit intervenimin e fortë të BE-së dhe ndërhyrjen e SHBA-së që çon në një marrëveshje paqeje të imponuar”.

Në përgjithësi, rreziku vjen nga mungesa e perspektivave për paqe të qëndrueshme.

Siç parashoheh dokumenti, konfrontimet përshkallëzohen edhe përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Skenari i katërt dhe i fundit, “Njohja përmes modifikimit të kufirit”, parasheh që atëherë kur palët të shterojnë të gjitha përpjekjet për të arritur paqen ajo çfarë mbetet në fund është demarkimi i kufirit Kosovë-Serbi ose shkëmbimi i territoreve.

“Pas dyerve të mbyllura, Uashingtoni dhe Brukseli miratojnë shkëmbimin e veriut të Kosovës me shumicë serbe, me luginën e Preshevës në Serbi me shumicë shqiptare, dhe punojnë drejt përgatitjes së komunitetit ndërkombëtar për marrëveshjen”.

Element kyç këtu është që Kosova të asbtragojë nga ambicia e saj për t’u bashkuar me Shqipërinë, ndërsa Serbia të heq dorë nga ambicia e saj për të integruar “Republikën Serbe” në Serbi.

“Supozimi themelor i këtij skenari është se një marrëveshje territoriale ka nevojë për konsensusin e të katër aktorëve – Prishtinës, Beogradit, Uashingtonit dhe Brukselit – dhe kjo të ndodh në mënyrë paqësore”, thuhet mestjerash.

Megjithëse, edhe ky skenar ka vështirësitë e veta.

“Kosova dhe Serbia nuk tregojnë gatishmëri për të negociuar një zgjidhje. Dialogu i Brukselit nuk shkon askund. Të gjitha opsionet janë ezauruar dhe të gjitha palët ndihen të lodhura dhe pa dëshirë pajtohen me këtë skenar jokonvencional”.

Dokumenti është shkruar si pjesë e projektit të financuar nga “National Endowment for Democracy” që synon të përmirësojë zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit duke propozuar qasje të reja, duke përfshirë tema të reja, duke përfshirë aktorë të rinj dhe duke zhvilluar politika alternative për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova dhe Serbia në paqe me njëra-tjetrën nuk është e paimagjinueshme. Ka pasur disa periudha në të cilat serbët dhe shqiptarët kanë jetuar në paqe. Rikthimi i tyre në një gjendje të ngjashme apo edhe më të mirë të marrëdhënieve është i mundur”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco