Detaje nga arrestimi i dy personave për zhdukjen e Bedri Rexhepit

Detaje nga arrestimi i dy personave për zhdukjen e Bedri Rexhepit

13:50, 18/08/2022

Dy familjarë të Jeton Vllasaliut, të dyshuarit për përfshirjen në zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, janë ndaluar sot nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimin për implikim në të njëjtën ngjarje, merr vesh Paparaci nga burime të mirëinformuara brenda prokurorisë.

Jeton Vallasaliu, i arrestuar në prill të vitit të kaluar, dyshohet të jetë i përfshirë në zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepit. Ai ndodhet në paraburgim tash e katër muaj.

Të enjten, Policia e Kosovës ka arrestuar dhe shoqëruar në polici dy persona të tjerë, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Paparaci ka mësuar se dy të arrestuarit janë vëllai dhe kunata e Jeton Vllasaliut, të arrestuarit në prill të 2021-s.

Ata janë ndaluar me dyshimet se janë të përfshirë në rrëmbimin e Bedri Rexhepit, biznesmen nga Prishtina.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë ndaluar dy (2) persona lidhur me rastin e zhdukjes së personit me inicialet B.R. Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se dy (2) personat janë ndaluar për veprën penale ‘Rrëmbimi’ nga neni 191 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Po ashtu, me rastin e arrestimit të këtyre dy personave, Prokuroria në Prishtinë tha se janë sekuestruar edhe disa prova materiale për rastin e rrëmbimit të Rexhepit.

Lidhur me këtë rast, rreth tri javë më parë është edhe arrestuar Arjeta Rukovci, mbesa e të dyshuarit Jeton Vllasaliu.

Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.

Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

Familjarët jo pak herë janë shprehur të dëshpëruar në institucione pasi kërkojnë përgjigje për fatin e familjarit të tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco