Zonat e kryeqytetit që do kyçen për herë të parë në rrjetin e Termokos-it

Zonat e kryeqytetit që do kyçen për herë të parë në rrjetin e Termokos-it

15:27, 16/08/2022

Lagjia ‘Mati 1’ dhe 86 objekte të vjetra banesore në ‘Ulpianë’, ‘ Dardani’, ‘Pejton’, ‘Qafa’ ‘Bregu i Diellit’ do kyçen nga ky vit në rrjetin e ngrohtores së qytetit ‘Termokos’.

Kështu ka bërë të ditur për Kallxo zëdhënësja e kësaj ndërmarrje Afërdita Uka.

“Në sezonin e ri ngrohës 2022/2023 për herë të parë në rrjetin e ngrohjes do të kyçen 141 objekte të reja banesore të lagjes “Mati 1”. Në kuadër të këtij projekti do të ketë edhe dendësim të rrjetit të ngrohjes në disa zona të kryeqytetit për disa nga objektet më të vjetra banesore, të cilat nuk e kanë pasur të instaluar as infrastrukturën e brendshme të sistemit të ngrohjes. Janë gjithsejtë 86 objekte  banesore të lagjes “Ulpiana”, “Dardania”, “Pejton”, “Qendër”, “Qafa” dhe “Bregu i Diellit”, të cilat gjatë këtij sezoni ngrohës do të kyçen për herë të parë në rrjetin tonë të ngrohjes” – ka deklaruar Uka.

Ajo tutje shtoi se arsyet pse ‘Mati 1’ nuk është kyçur nga viti i kaluar siç ka qenë në plan, është për shkak se prej kohës së planifikimit për shtrirje të rrjetit ka pas vazhdimisht ndërtim të objekteve të reja banesore, duke i detyruar të bëjnë ridizajnim të shtrirjes së rrjetit.

Projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes,  është duke u realizuar me fondet e ndara nga Qeveria gjermane nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë të 12 milionë eurove.

“Duke u bazuar në master planin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes të hartuar nga ekspertë gjerman, ka qenë e planifikuar kyçja në rrjetin e ngrohjes të 100 objekteve banesore të kësaj zone. Nga koha e planifikimit deri tek fillimi i realizimit të punimeve në terren situata ka ndryshuar shumë dhe ndërkohë atje janë ndërtuar edhe 41 objekte të reja banesore” – tha Uka.

“Për faktin se rrjeti i ngrohjes do të kalonte edhe përskaj këtyre objekteve të reja dhe që të mos anashkalohen ato, është ridizajnuar plani fillestar për shtrirjen e rrjetit dhe janë përfshirë edhe këto 41 objekte banesore, kyçja e të cilave është mundësuar nga fondet e ndara nga NP “Termokos” në vlerë të mbi 1 milion eurove” – shtoi më tej Uka.

Zëdhënësja e Termokos-it potencoi se furnizimi me ngrohje për këtë lagje do fillojë gradualisht në këtë sezon dhe deri në përfundim do furnizohen me ngrohje të gjitha objektet banesore të lagjes.

“Rrjeti i ngrohjes tashmë është shtrirë në këtë pjesë të qytetit. Aktualisht, kompania që është përzgjedhur nga KfW për realizimin e nëstacioneve të ngrohjes është duke punuar për vendosjen e nënstacioneve të ngrohjes tek këto objekte banesore. Fillimi i furnizimit me ngrohje për këtë lagje do të fillojë gradualisht në këtë sezon ngrohës dhe deri në përfundim të sezonit ngrohës 2022/2023 do të furnizohen me ngrohje të gjitha objektet banesore të kësaj lagjeje” – shtoi më tej Uka.

Kurse, për projektin e vendosjes së matëseve nëpër radiatorë të konsumatorëve, Uka tha se është ende në proces të implementimit.

Projekti “Prishtina Heat Save” apo projekti për vendosjen e matësve të nxehtësisë po realizohet me fondet në vlerë të 10 milionë dollarëve, të ndara nga Qeveria amerikane nëpërmes Millennium Challenge Corporation (MCC).

“Projekti për vendosjen e matësve është në fazën e instalimit të matësve të nxehtësisë, valvulave termostatike dhe termokokave fillimisht tek konsumatorët e lagjes “Ulpiana” për të kaluar pastaj edhe tek konsumatorët e të gjitha lagjeve tjera, që furnizohen me ngrohje nga ndërmarrja jonë. Nga 27 korriku, kur ka filluar faza e instalimit të këtyre pajisjeve deri më tani janë instaluar 2685 matës nxehtësie, 2742 valvola termostatike dhe 2742 termokoka” – ka shtuar Afërdita Uka.

Përmes vendosjes së matëseve, konsumatorët do kontrollojnë vetë nxehtësinë brenda apartamentit të tyre, gjithashtu faturimi do bëhet mbi bazën e konsumit e jo të metrave katror të banesës siç ka qenë deri më tani.

Sipas Ukës, pajisjet për kontroll dhe matje të temperaturës, që po instalohen nëpër radiatorë, janë falas, kurse ata që i refuzojnë, pas përfundimit të projektit, do duhet t’i paguajnë vetë.

“Instalimi i tyre do të jetë obligativ për gjithë konsumatorët, ndërsa nëse ata nuk do të bashkëpunojnë me kompanitë punëkryese të këtij projekti dhe nuk do të lejojnë instalimin e këtyre pajisjeve nëpër radiatorët e tyre, pas përfundimit të këtij projekti, do të duhet t’i paguajnë vet ato” – ka thënë Uka.

Sipas Ukës faturimi me metodën e re të bazuar në konsum pritet të fillojë nga viti i ardhshëm, kur planfikohet të realizohet i gjithë ky projekt.

Zëdhënësja e Termokos përmendi edhe projektet për ngrohje me anë të energjisë nga panelet solare.

Sipas saj, përmes këtij projekti pritet të kyçen në rrjet të ngrohjes edhe një pjesë e objekteve banesore të lagjes ‘Arbëria’ dhe ‘Tophane’.

“Në proces të vlerësimit për fillimin e realizimit janë edhe dy projekte tjera kapitale: projekti “Solar4Kosova” dhe projekti për dyfishimin e kapaciteteve. Derisa,  projekti “Solar4Kosova”, që do të financohet nga KfW, BERZH dhe NP “Termokos”, është në fazën e hartimit të raportit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, projekti për dyfishimin e kapaciteteve është në fazën e hartimit të studimit paraprak për realizimin e këtij projekti. Ky studim është financuar nga Banka Evropian për Investime në vlerë të 1.5 milion eurove” – Uka.

“Me projektin e paneleve solare, planifikohet, që në rrjetin e ngrohjes të kyçen një pjesë e objekteve banesore të lagjes “Arbëria” dhe një pjesë e lagjes “Tophane” – shtoi ajo.

Kurse, sa i përket mundësisë së shtrenjtimit të faturës për ngrohje, Uka bëri të ditur se kanë aplikuar në Zyrën e Rregullatorit të energjisë për shqyrtimin e tarifave për sezonin e ardhshëm ngrohës.

“NP “Termokos” ka aplikuar në ZRRE për shqyrtimin e tarifave të ngrohjes për sezonin e ardhshëm ngrohës. Sado që, deri më tani nuk kemi ndonjë indicie për ngritjen e tarifave të ngrohjes, i takon ZRRE-së si autoriteti i vetëm rregullativ, që t’i përcaktojë ato” – ka thënë Uka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco