Gjyqi për vrasjen e trefishtë, dëshmitari implikon ish-kryeimamin e Kaçanikut

Gjyqi për vrasjen e trefishtë, dëshmitari implikon ish-kryeimamin e Kaçanikut

16:52, 15/08/2022

Dëshmitari Ramiz Tusha në gjykimin ndaj dy të akuzuarve Afet dhe Agron Dalloshi, të akuzuar se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona dhe e kishin lënduar një tjetër, në seancën e të hënës ka thënë se ka pasur premtime për shpërblim nga imami i fshatit Dubravë dhe ish-kryeimami i Kaçanikut, Florim Neziraj..

Këtë deklarim, e ka dhënë dëshmitari Tusha, pasi që prokurorja speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu e pa pyetur se para se të shkonte me dhënë deklaratë për këtë rast, a ka pas premtime nga dikush se do shpërblehet për mënyrën e dëshmisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

‘‘Para se të shkoj të jap deklaratë për këtë rast, kam pasur premtime nga imami Florim Neziri, i cili nuk ka hy direkt në temë, por më ka thirr në telefon me pi kafe me të, pastaj më ka thënë hajde falu në xhami, por unë nuk kam shkuar asnjëherë përveç në rastet e Bajramit, më vonë e kuptova që ai kishte pasur qëllim t’i hyjë kësaj teme – për vrasjen, i cili ka hy në temë ngadal, në fillim më ka dhënë para, njëherë 200 euro, njëherë 300 euro, për të tjera kam harruar, me arsyetim për sevap, pasi i kisha punët keq ekonomikisht, e dikur hyri në temë, duke më thënë ‘fol se e kam pa Shpend Qerimin dhe Besnik Hasanin te ura’”, ka thënë dëshmitari Tusha.

Pas kësaj ai ka thënë se EULEX e kishin marr atë dhe Xhevahir Tushën dhe i kishin dërguar në Burgun e Dubravës ku i kishin pyetur nëse i njihnin Shpend Qerimin dhe Besnik Hasanin, por që dëshmitari Tusha tha se ishte përgjigjur se ‘nuk i njoh dhe nuk i kam parë më herët’.

Paraprakisht, dëshmitari Tusha ka thënë se lidhur me vrasjen e trefishtë të ndodhur në fshatin Soponicë ka dhënë 4-5 deklarata.

Në vazhdim i njëjti ka përshkruar ngjarjen e 27 shtatorit 2007, duke shtuar se kishte qenë së bashku me Xhevahir Tushën duke u kthyer në shpi me një taksi, ku ishin ndalur tek varrezat e dëshmorëve dhe tek ura e Lepencit kishin parë një veturë ‘Audi’, nga e cila veturë sipas tij, kishin zbritur dy persona që kishin qëndruar në qosh të urës.

Tutje tha se pasi që kishin kaluar rreth tyre, para se të hynin në shtëpi kishin dëgjuar të shtëna të armëve.

Mirëpo i njëjti tha se nuk i kishte njohur ata dy persona pasi që kishin qenë të kthyer me shpinë si dhe kur të njëjtit kishin zbritur nga vetura i kishin pasur rreth 100 metra larg.

Dëshmitari Tusha tha se pas 2-3 javësh që kishte ndodhur ngjarja ishte ftuar në Polici për të dhënë deklaratë lidhur me këtë vrasje, por që ishte njoftuar 2-3 ditë përpara se do të jepte deklaratë, e që nuk i kujtohet se çfarë ishte pyetur e çfarë kishte deklaruar.

‘‘Kjo ka ndodhur në vitin 2007, ka kaluar një kohë e gjatë, kam familjen time, këta e kanë bë për biznes këtë vrasje dhe më shumë kam hequr unë se këta, pasi që nga 2007 kam dhënë deklarata. Nuk e di kush e ka kryer vrasjen, sepse po ta dija do ja drejtoja gishtin, këtë vrasje nuk e kanë bërë 1-2 njerëz, unë jam i pa shkollë, por ku e diti ai se po vjen Golf 2-shi, kur po them ai, e kam fjalën për atë që e ka kryer vrasjen’’, tha dëshmitari Tusha.

I njëjti tregoi se pas ngjarjes tek shtëpia e tij kishte shkuar Berat Baftiu, i afërm i të ndjerëve nga i cili me mirësjellje sipas dëshmitarit Tusha kishte kërkuar që të shkonin në një kafene në Ferizaj.

‘‘Në kafene ka hyrë një person me një fëmijë të cilët janë ulur tek shanku, për të cilin Berati më ka thanë ‘qyky është Shpend Qerimi që e ka kryer vrasjen’ dhe unë i thash ‘çka po kërkon prej meje, ti po e dishe’’’, ka sqaruar dëshmitari Tusha.

Në vazhdim ai ka thënë se kur Berati e ka dërguar në shtëpi, i kishte thënë ‘kur të shkojsh me dhanë deklaratë, ta kallxojnë fotografinë e Shpendit, e ai personi që e pe-shikove në kafiteri, ai është Shpend Qerimi, te ura’, por që për këtë ai tha se Berati as nuk i kishte premtuar diçka e as nuk e kishte kanosur që të deklarohet kështu.

‘‘Tani kur kam shkuar për me dhanë deklaratë në EULEX po më doket, mi kanë paraqitur-treguar shumë fotografi, kur e kam pa atë personin-Shpendin, mu ka kujtu që e kam pa, unë kam thënë që e kam pa në kafiteri por jo edhe tek ura, kështu ka qenë’’, ka vazhduar ai.

Ndërsa Tusha tha se nuk ka pasur biseda me familjarët e Besnik Hasanit dhe Shpend Qerimit, përveç kur iu kishte shkruar në shtëpi për t’iu kërkuar falje.

‘‘Njëherë kam shkuar tek shtëpitë e tyre, kam folur me babën e Besnikut, kemi biseduar për këtë temë, të njëjtit i kam kërkuar falje, pasi që u përhap si fjalë se unë kam thënë se e kam pa Besnikun dhe Shpendin tek ura’’, tha ai.

Tutje, sqaroi se kishte insistuar të shkonte sërish në Prokurori për t’u deklaruar por që prokurori nuk e kishte pranuar.

‘‘Qëllimi për të dhënë prapë deklaratë ka qenë se ma kanë rrotullu deklaratën, se unë nuk e kam pa Shpend Qerimin te ura por e kam parë në kafiteri, siç e kam përshkruar më lartë, por prokurori nuk më pranonte, më ka përzënë’’, shtoi dëshmitari Tusha.

Lidhur me këtë ka thënë se kishte shtuar në stacionin policor në Ferizaj pasi që ishte ndjerë keq pasi gjoja ai ka thënë se Shpendin dhe Besnikun e ka pa tek ura, duke thënë se në realitet nuk i kishte parë.

Ndërkaq, kur prokurorja Fejzullahu e pyeti dëshmitarin për Nysret Cenën, mbrojtësja e të akuzuarit Afet Dalloshi, avokatja Kosovare Kelmendi e kundërshtoi e që u aprovu nga trupi gjykues u udhëhequr nga gjykatësi Naser Foniqin, duke thënë se për të ka një aktgjykim të formës së prerë si çështje e gjykuar.

Kurse, Agron dhe Afet Dalloshin, dëshmitari Tusha tha se i njeh vetëm si katunar por nuk ka pasur ndonjë kontakt shoqëror me ta.

Kundërshtime nga avokatja Kelmendi pati edhe kur prokurorja Fejzullahu kërkoi që dëshmitari të ballafaqohet me deklarimin e 17 qershorit 2010. Avokatja Kelmendi tha se ky dëshmitar është dëgjuar në çështjen penale kundër Besnik Hasanit, Shpend Qerimit dhe Nysret Cenës por asnjëherë nuk është dëgjuar, as në fazën hetimore në çështje penale kundër këtyre Agron dhe Afet Dalloshit.

‘‘E aq më tepër është shkelje esenciale që dëshmitari ballafaqohet me një deklaratë që nuk është fare pjesë e shkresave të lëndës, e nuk e posedon as trupi gjykues, as mbrojtja e as të akuzuarit’’, shtoi avokatja Kelmendi.

Në këto rrethana, prokurorja e riformuloi pyetjen duke iu referuar të gjitha deklarimeve të dëshmitarit lidhur me këtë vrasje, nëse ndonjëherë ka qenë i frikësuar apo kërcënuar.

‘‘Nuk kam qenë i kërcënuar por i frikësuar po, sepse kam deklaruar se Shpendin e kam pa në kafiteri ndërsa ata ma kanë shënuar që unë e kam pa tek ura dhe nuk është e lehtë kjo për mua e as për atë, me dal e me thanë pa e pa hiq se e kam pa tek ura, e pa e njohur as më herët e as më vonë të them se e kam pa tek ura’’, tha ai.

I pyetur nga kryetari i trupi gjykues, gjykatësit Fonqi, dëshmitari Tusha u përgjigj se dy personat që kishin zbritur nga vetura kishin pasur në dorë armë të gjata, duke ripërsëritur se në atë vend i kishte parë dy persona por që nuk e di se kush kishte qenë.

Seancat e radhës për këtë çështje janë caktuar për 13 dhe 29 shtator 2022.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena për veprat penale të vrasjeve, kurse Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtator 2007, andaj prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit.

Por që me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e ka cilësinë e të akuzuarit.

Ndërsa, të akuzuarit Agron Dalloshi e Afet Dalloshi akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake të tyre dhe Shpend Qerimit, më 28 shator 2007, rreth orës 00:10-20, për shkak se Nysret Cena kishte pasur fjalosje me N.B. për shkak të një borxhi dhe i akuzuari Afet Dalloshi kishte pasur fjalosje më parë me N.B., për një femër, ashtu që me qëllim që të privojnë nga jeta atë, i akuzuari Afet Dalloshi me veturën e tipit “Audi A4” pronë e Nysret Cenës, ka bartur Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura mbi lumin Lepenc në fshain Soponicë, ku kanë zënë vend afër gardhit të gjallë.

Tutje në aktin akuzues thuhet se sipas marrëveshjes të akuzuarit Besnik Hasani e Shpend Qerimi, me veturën e të akuzuarit Afet kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, për të parë momentin kur N.B. do të hyjë në veturën e tij për të shkuar në shtëpi, ashtu që me të rëna të borisë së veturës të informojnë Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron se N.B. ka arritur te ura mbi lumin Lepenc.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në veturë të N.B. kanë qenë edhe S.B., U.B. dhe Bujar e Safik Baftiu, dhe i akuzuari Agron me Nysret Cenën, kur e kanë parë veturën, me dashje që t’i privojnë nga jeta, me pushkë automatike kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco