Zgjedhjet për kryetar të VV-së në Podujevë, përballen Bulliqi dhe Maçastena

Zgjedhjet për kryetar të VV-së në Podujevë, përballen Bulliqi dhe Maçastena

16:04, 15/08/2022

Zgjedhjet për kryetar të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, do të përballin kryetarin e komunës, Shpejtim Bulliqin, me ish-drejtorin e Inspekcionit, Bedri Maçastena.

Ky i fundit ishte shkarkuar më parë nga pozita e Drejtorit të Inspekcionit nga vetë Bulliqi.

Të dy në pak minuta diferencë zyrtarizuan kandimin e tyre duke e bërë të ditur në rrjetin social Facebook, teksa shpalosën edhe qëllimin e planin e tyre për Llapin.

Bulliqi, si koordinator i qendrës për katër muaj vlerëson se është angazhuar maksimalisht përballë sfidave dhe se është i vetëdijshëm për sfidat tjera.

“Si Koordinator i Qendrës për këta 4 muaj jam angazhuar maksimalisht që struktura organizative e Qendrës së LVV të shtrihet ane kënd Podujevës, me synimin që para sfidave të ardhshme si subjekt politik të jemi më të fortë, më të organizuar dhe më të strukturuar. Sot kur nënshkruva deklaratën e kandidaturës për Kryetar të Qendrës jam shumë i vetëdijshëm për sfidat që kemi para vetës, për fjalën që iu kemi dhënë qytetarëve dhe për zotimet që duhet t’i përmbushim”.

Mes tjerash, Bulliqi thotë se kandidaturën e shpalli me të vetmin qëllim që i avancojë vlerat e VV-së dhe të shtyjë përpara projektet me interes siç thotë ai të gjithmbarshëm shoqëror.

“Duke e njohur punën dhe kontributin e gjatë të shumë aktivistëve dhe anëtarëve të Lëvizjes, duke besuar në vlerat social-demokrate dhe parimet e barazisë, si dhe duke e vlerësuar angazhimin e kontributin e secilit qytetar për Lëvizjen në secilën etapë kohore. Duke besuar në vlerat që posedon Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekti më demokratik në vend dhe për parimet mbi të cilat qëndron ajo, e shpalla kandidaturën time me qëllimin e vetëm t’i avancojmë këto vlera e t’i shtyjmë përpara projektet me interes të gjithmbarshëm shoqëror” ka shkruar Bulliqi.

Ndërsa Maçastena thotë se bashkë me qindra aktivistë të Podujevës do të mund të sjellin demokracinë e brendshme duke e shpërfaqur edhe jashtë.

“Bashkë me shumë aktivistë, do të ndërtojmë ura të pathyeshme të ecurive të mbara të punës dhe do t’i thyejmë muret e barrierave ndarëse. Bashkërisht do të bëjmë punë të mëdha, gjithnjë duke mos harruar prej nga vijmë e duke ditur qartë se ku do të mbërrijmë. Me njëri tjetrin do t’i japim Lëvizjes në Podujevë dëshminë e një aktivizimi të sinqertë dhe plotë dinjitet. Pra, me të gjithë ju bashkë, do të jemi në shërbim të Lëvizjes gjithnjë e çdoherë”.

Mes tjerash, ai bën thirrje që edhe njerëz të drejtë të kandidojnë për këtë pozitë.

“Jam ithtarë i demokracisë, i demokracisë që Lëvizja e kultivon në vazhdimësi, ku në qendër të saj është gara politike dhe liria e ideve dhe veprimit komfor rregullave te përcaktuara. Ne frymën e kësaj, inkurajoj edhe kandidat të tjerë që të bëhen pjesë e këtij procesi në mënyrë që qendrën tonë ta pasurojmë akoma më shumë me ide dhe programe konkrete politike. Si gjithherë, Lëvizja do të mbetet e hapur dhe strehë për secilin anëtarë të ri i cili dëshiron të rreshtohet pranë lëvizjes dhe programit te sajë politik për mirëqenie të gjithmbarshme të qytetarëve të komunës tonë”, ka shkruar Maçastena.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore e Prishtinës ditë më parë ka nisur hetimet për shkarkimet që ka bërë Bulliqi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco