Çfarë është realisht Asociacioni dhe përse kundërshtohet në Kosovë, e serbët po e duan me patjetër?

Çfarë është realisht Asociacioni dhe përse kundërshtohet në Kosovë, e serbët po e duan me patjetër?

13:32, 13/08/2022

Kur kanë mbetur më pak se një javë nga takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një deklaratë e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, do të mund të influencojë krejtësisht agjendën e diskutimeve në Bruksel.

Për shkak të tensioneve në veri u mendua se biseda në takimin e 18 gushtit do të ketë fokus këtë ndodhi të fundit, kurse burime nga Brukseli u thanë disa mediave se takimi po ndodhë për t’u nënshkruar marrëveshja për të pagjeturit e luftës së fundit të zhdukur me dhunë nga Serbia, por Hill beson se në tavolinë, kësaj radhe, duhet të bëhet tjetër diskutim – ai për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Mendoj se Asociacioni është një rrugë e mirë. Është koha ta vendosim në tavolinë dhe të bisedojmë seriozisht për të”, deklaroi ambasadori veteran në emisionin Oko në Radio Televizionin e Serbisë.

Për përcjellësin e zhvillimeve në Ballkan dhe njohësin e procesit të dialogut Kosovë – Serbi, Agon Maliqin, përtej se çfarë po thotë Hill, e rëndësishme është edhe se ku po e thotë dhe kur po e thotë.

“Së pari, nga mesazhet e Ambasadorit Hill krijohet përshtypja, veçanërisht edhe nga ‘tajmingu’ i intervistës dhënë RTS-it, se SHBA-të e shohin si të rëndësishme vendosjen e diskutimit mbi asociacionin në agjendë qysh prej takimit të radhës në Bruksel, se paku si diskutim fillestar”, thotë Maliqi

Maliqit i ka bërë shumë përshtypje edhe mbiemrat e vazhdueshëm me të cilët Hill i referohej Asociacionit.

“Së dyti, sigurisht i nxitur edhe nga pyetjet e gazetarit, Ambasadori Hill disa herë thekson se kjo është një temë ‘e rëndësishme’ dhe i thekson detyrimet e Kosovës, duke i ndërlidhur të drejtat e pakicave me “standard evropiane” dhe duke insistuar se palët duhet të vijnë me propozime”.

Çështja e Asociacionit të akorduar mes dy shteteve në vitin 2013 e të nënshkruar në 2015, që i mundësonte komunave serbe të Kosovës të lidheshin në një formacion politiko-ekonomik të përbashkët, si mekanizëm i ri brena sistemit politik të Kosovës, dukej se mori fund me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

Kjo pasi Asociacioni ka prodhuar një nga kundërshtimet më të ashpra politike që nga paslufta. Vetëvendosja argumentonte se kjo është falje e tokës, prandaj një pjesë e tyre kishin mësyrë shtëpinë e atëherë kryeministrit, Isa Mustafa, me harta të Kosovës, me mesazhin “fali tokat tua jo ato të Kosovës”.

Se sa seriozisht e kishte Vetëvendosje me kundërshtim, tregon edhe fakti që veturës zyrtare me të cilën udhëtonte Mustafa i ishin vendosur topa hekuri me thepa nën gomat e makinës.

Gjithashtu, u kujtohet të gjithëve, Mustafa u gjuajt me vezë në Kuvendin e Kosovës e u quajt tradhtarë, sepse në argumentimet e Vetëvendosjes, Asociacioni do ia shkaktonte Kosovës, atë që Republika Serbe ia ka shkaktuar Bosnje dhe Hercegovinës – pamundësinë totale të funksionimit të sistemit politik.

Vetëvendosje e pati pagëzuar Asociacionin si “Zajednicë”, termi serbisht me qëllim që të tregojnë edhe simbolikisht se kjo strukturë e pajtuar nw Bruksel kur të formohet do i shërbente vetëm Serbisë.

Vetëvendosje s’pati pranuar as ta diskutojë edhe propozimin për shkëmbim territoresh. Me ardhjen në pushtet, Kurti përtej se s’pranoi asnjë nga opsionet e ofruar as nuk ofroi një vetë dhe tani status quo-ja e ka risjellur përsëri Asociacionin në diskutim dhe këtë herë nga amerikanët.

“Në përgjithësi duket sikur SHBA-të në konstalacionin e tanishëm e shohin te asociacioni mundësinë për një marrëveshje më të madhe përtej çështjeve teknike. Gjithsesi, mesazhet janë të formuluara asisoj që janë të përshtatura për audiencën e Serbisë, ku SHBA-të kanë për synim të tregohen si mirëkuptuese dhe të pozicionohen si ndërmjetësues”, thotë Maliqi derisa komenton për Albanian Post intervistën e Hill-it.

“Por ajo që gjithashtu duhet theksuar është fraza më e përgjithshme e përdorur disa herë nga Hill se në thelb të Asociacionit dhe marrëveshjes përfundimtare është çështja se ‘si do të zgjidhet fati i serbëve të Kosovës’. Në këtë kontekst, duke e marrë parasysh edhe deklaratën e Escobar për asociacion pa kompetenca ekzekutive, besoj se mesazhi i SHBA për Kosovën është se nëse as edhe ky asociacion nuk është i pranueshëm, siç insiston Kurti, atëherë cila është oferta për serbët e Kosovës?”, shpjegon tutje Maliqi.

“Kosova pra nuk mund të rrijë vetëm në pozicion refuzues”, deklaron ai, “por duhet të vijë në tavolinë me diçka përmbajtjesore të cilën SHBA-të mund ta marrin për bazë për ta kthyer në marrëveshje”.

Në Kosovë shumë shpesh është diskutuar edhe rëndësia e përfshirjes së SHBA-ve në dialog mes dy vendeve dhe për Maliqin ky deklarim i Hill-it mund të paralajmërojë diçka të tillë.

Çështja është, sa do t’i konvenojë Kosovë përfshirja që si ofertë ka po asociacionin e vjetër të kundërshtuar prej vitesh.

“Te këto mesazhe e shoh një përpjekje të SHBA që të marrin iniciativën apo edhe rolin e ndërmjetësuesit informal prapa skenës, duke qenë se kredibiliteti i BE është për toke qoftë në Prishtinë qoftë në Beograd, por edhe për shkak se tensionet dhe mundësia e përshkallëzimit të situatës e kanë alarmuar pak NATO-n”.

Por, çfarë është realisht Asociacioni dhe përse kundërshtohet në Kosovë?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është paraparë të themelohet me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Pika e parë e tekstit të marrëveshjes thoshte se: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.

Në pikën tre të marrëveshjes thuhet se “Strukturat e Asociacionit / Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli”.

Kurse në pikën katërt, flitej për atë që e ka thënë edhe Hill gjatë intervistës se “në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi në gjendje të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë / Asociacionin”.

Kjo pikë, pika katër, precizonte edhe se “Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural”.

Dy vjet më vonë, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashihej që të përfshijë brenda dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Po ashtu, në marrëveshjen bazë, këtë të 2013-së, thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Marrëveshja e dytë, mbi parimet

Pas 2013-ës, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015 arritën edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Nenshkrimi i marreveshjes per parimet, Bruksel

Pika e dytë e kësaj marrëveshjeje mbi parimet thoshte se “në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të aprovojë një dekret drejtpërdrejtë të aplikueshëm, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

Marrëveshja e parimeve gjithashtu potenconte se Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën organizative. Parashihej që Asociacioni të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Asociacioni gjithashtu do të kishte një president, i cili do ta përfaqësonte Asociacionin pranë autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës.

Presidenti do të ndihmohej nga zëvendëspresidenti. Presidentin dhe zëvendëspresidentin do t’i zgjedhte kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre.

Por, kur u dërgua në Gjykatën Kushtetuese marrëveshja 23 dhjetor 2015, Gjykata konstatoi se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gjithsesi, gjykata nuk e nxori jashtë loje dhe as nuk e hodhi poshtë si të tërë. Në opinion u tha se mos-përputhjet e marrëveshjes me Asociacionin mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë gjithë kohës, që nga viti 2013 Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar marrëveshjen. Argumentonin se ajo krijon një nivel të mesëm të pushtetit dhe praktikisht shkëputje nga Kosova.

Kur Gjykata doli me konstatimin, Vetëvendosje e barti argumentimin kundërshtues drejt vendimit të Gjykatës. Duke thënë se ajo u dha të drejtë dhe se Asociacioni nuk bën të themelohet.

Qëndrimin e tillë Vetëvendosje dhe Kurti e kanë mbajtur edhe pasi erdhën në pushtet. Në një emision televiziv kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pati deklaruar se Asociacioni, në asnjë variant të tij, “kurrë nuk do të formohet në Kosovë”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco