'Ripërcaktimi i kufijve do rikthehet, s’ka opsion tjetër'

'Ripërcaktimi i kufijve do rikthehet, s’ka opsion tjetër'

07:40, 12/08/2022

Shumë veta e kanë harruar, të tjerë mbase akoma nuk e dinë dhe pak vetave u kujtohet se për herë të parë idenë për një zgjidhje finale mes Kosovës e Serbisë nëpërmjet ripërcaktimit të kufijve e ka dhënë Lëvizja për Bashkim.

Por, për lëvizjen e vogël politike të sapoformuar, propozime të tilla ishin ambicie të mëdha asokohe.

Vetë një nga themeluesit e LB-së dhe nga 2014-ta kryetar i saj, Valon Murati, e pranon se ndërkombëtarët s’ishin gati as ta shqyrtonin, aq më pak ta pranonin. Veçanërisht amerikanët.

“E dimë rezistencën e faktorit ndërkombëtar e sidomos amerikanëve kundër kësaj ideje, përkatësisht politikën e tyre të mos ndryshimit të kufijve në Ballkan”, shpjegon të kaluarën Murati në këtë intervistë për Albanian Post.

Jo veç ndërkombëtarët. Ideja iu dukej e jashtëkohëshme edhe liderëve politik vendas.

“Një prej tyre ka qenë Hashim Thaçi”, tregon Murati. “Na patën thënë se amerikanët nuk po e lënë të hapet kjo temë”.

10 vjet më vonë, personazhet kishin mbetur të njëjtë, por kohërat kishin ndryshuar, sepse kishin ndryshuar edhe amerikanët.

“Dhe unë nuk kam nevojë të zbuloj asnjë fshehtësi në këtë drejtim, sepse qëndrimi amerikan i cili paralajmëroi ndryshim të politikës amerikane, në raport me të kaluarën sa i përket çështjes së kufijve, është publik dhe daton për opinion prej intervistës së ish ambasadorit Greg Delawie në Rubikon diku në maj ose qershor të vitit 2018”, kujton Murati.

Për befasinë e Muratit, që propozimi i tyre i para 10 vjetësh të mos realizohej s’ishte më nevoja ta kundërshtonin amerikanët, sepse atë po e bënin vetë shqiptarët në Kosovë.

“Unë në jetën time, deri në verën e vitit 2018 kur u hap tema e ripërcaktimit nga ish presidenti Thaçi, nuk kam besuar se ndonjëherë do të më duhet t’i bind shqiptarët për këtë çështje”, thotë ai.

Ripërcaktimi, i ribrenduar si korrigjimi i kufijve s’u përkrah nga asnjë parti politike.

Tani kur e mendon, Murati është i bindur se më s’ishte problem mesazhi, por lajmëtari.

Të gjithë, përfshirë partinë e tij, iu trembën ngrirjes së Hashim Thaçit në histori.

“Në këtë kontekst partitë politike u frikësuan se ish presidenti Thaçi nëse e realizon atë projekt, e bashkë me të edhe një Union Kosovë-Shqipëri, do të ishte i ‘përjetshëm’ në skenën politike”.

Brenda Kosovës ishte kështu, jo edhe jashtë saj.

“Në periudhën kur kjo temë u hap, ishte lejuar si zgjidhje e mundshme jo vetëm nga amerikanët por edhe nga një pjesë e mirë e evropianëve, përfshirë Francën (dhe Brukselin)”.

Kundërshtuan vetëm gjermanët, por kundërshtuan ashpër.

“Gjermania e frikësuar nga destabilizimi në rajon dhe nga lobimi që bënë disa nga vendet tona fqinje nga frika sesi kjo mund të reflektonte në situatën e tyre të brendshëm u vu fuqishëm në veprim me krejt arsenalin propagandistik, politik, e të shoqërisë civile për ta ndalur këtë ide (pa ofruar as atëherë e as sot ndonjë alternativë)”.

Tani, katër vjet pas, Murati thotë se Kosova ka përballë Asociacionin – i cili, si me, si pa kompetenca ekzekutive e bllokon funksionalizimin e shtetit – dhe status quon e cila s’shkon askund, por s’çon askund po ashtu.

Nga 2018 kohë ka kaluar, por koha s’i ka kaluar ripërcaktimit të kufijve, beson kryetari i LB-së.

“Kjo temë do të rikthehet natyrshëm”, deklaron Muarti. “Qoftë me dështimin e projektit të asociacionit në fazën e nënshkrimit, qoftë nëse nënshkruhet në atë të implementimit, por edhe në qoftë se insistojmë si politikë të vazhdojmë me status-quon aktuale”.

Por, frika e ish-ministrit është se kur natyrshmëria ta kthejë prapë si temë, pozicionet e fuqisë që vazhdimisht lëvizin, do të mund të mos e gjejnë Kosovën dhe aleatët e saj, në kombinimin që ishte në vitin 2018.

Murati vetë – si propozues themeltar – është i gatshëm t’i pres rrethanat e reja, çështja është si do ta presin ato rrethana Kosovën.

“Sigurisht që frikësohem se ne do të jemi në një pozicion më të dobët kur të hapet kjo temë në të ardhmen për shkak të lodhjes sonë me jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës, spastrimit gradual etnik që po ndodh në Kosovën Lindore si dhe betonizimit të interesit serb tek lumi Ibër”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco