480 raste të dhunës ndaj grave për shtatë muaj

480 raste të dhunës ndaj grave për shtatë muaj

22:38, 11/08/2022

Në periudhën janar-korrik të këtij viti janë raportuar 480 raste të dhunës ndaj grave, pesë vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

Dhuna ndaj grave po vazhdon të mbetet një nga fenomenet më shqetësuese në shoqërinë kosovare.

Vetëm raporti 24 orësh i policisë së Kosovës pati pesë raste kur gratë ishin viktima të dhunës nga partnerët e tyre.

Leonida Molliqaj nga organizata QIKA-t pohon që numri i rasteve të dhunës ndaj grave është në rritje e sipër.

“Prej janarit kur kemi filluar implementimin e projektit deri në fund të korrikut kemi pa që gratë janë viktima të dhunës në familje. 480 gra, prej janarit deri në fund të korrikut, kanë raportuar se janë sulmuar nga bashkëshortët”, tha Molliqaj për T7.

Molliqaj liston po ashtu disa nga arsyet që po ndikojnë në rritjen e rasteve të dhunës.

“Gjendja ekonomike, varësia e gruas prej burrit – kemi gra totalisht të varura nga burri në aspektin ekonomik dhe gra të cilat, deri në vdekje, përgjithësisht jetën e tyre sociale e kanë të ngujuar brenda mureve të shtëpisë”, tha ajo.

E se cilat janë veprimet që institucionet e drejtësisë kanë ndërmarrë për parandalimin e rasteve të dhunës e tregon në një përgjigje, Nita Shala, zëvendësministre e Drejtësisë dhe koordinatore kombëtare kundër dhunës.

“Në Strategjinë Kombëtare për mbrojtjen ndaj dhunës kemi identifikuar 140 veprime që do të merren nga institucionet përgjegjëse brenda tre viteve, 44 nga to tashmë janë në zbatim dhe kanë të bëjnë me masat për parandalimin e dhunës, masat për fuqizimin e institucioneve përgjegjëse e rritje të koordinimit ndërinstitucional dhe përmirësim të shërbimeve për të mbijetuarat e fuqizim ekonomik për t’u mundësuar shkëputje nga cikli i dhunës”, tha Shala.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco