“S’kemi faj ne, por ata” – Institucionet shëndetësore ia hedhin fajin njëra tjetrës, derisa në QKUK luhet roli i Zotit

“S’kemi faj ne, por ata” – Institucionet shëndetësore ia hedhin fajin njëra tjetrës, derisa në QKUK luhet roli i Zotit

07:57, 11/08/2022

Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është e vetmja që ofron shërbim ndaj pacientëve që vuajnë me sëmundjen e kancerit në Kosovë.

Nga kjo sëmundje në Kosovë regjistrohen çdo vit pothuajse 1.500 raste të reja.
Përveç shërbimeve dhe vështirësive që hasin pacientët përballen edhe me mungesë të barërave, madje edhe kur nevoja për to është jetike.

Kështu bëri të ditur përmes një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’ njëra nga punonjëset shëndetësore në Kosovë, Merita Brovina.

“I dashur Kryeministër dhe i nderuar Ministër i Shëndetësisë. Ju informoj që ne sot në klinikën e Onkologjisë nuk patëm fatin të jemi të përzgjedhur në mesin e atyre që kanë të drejtë të vazhdojnë të jetojnë”, kishte shkruar Brovina.
Furnizimi me barnën pembrolizumab po ofrohet me sasi shumë të vogël në këtë institucion shëndetësor.

“Nga 80 ampulla sa duhet të furnizohet Klinika e Onkologjisë sa i kanë te planifikuara dhe të kontraktuara, sot pas një jave vonesë klinikës i kanë ardhur vetëm dhjetë”.

“Në mesin e atyre 80 pacientëve që presin ta marrin ilaçin janë përzgjedhur dhjetë të cilët në tentativat më të vrazhda për mbijetesë e kanë kuptuar me rrugë joformale që ilaçi vjen sot andaj kanë zënë dyert e klinikës para se ilaçi te zbarkoj në klinikë”.

Rreth kësaj çështje Albanian Post, ka kontaktuar ministrinë e Shëndetësisë të cilët fajin e kanë adresuar tek një institucion tjetër.

“Furnizimi me citostatike bëhet nga vet SHSKUK-ja, MSH furnizon me barna dhe material shpenzues QKMF-të”.

Nga dikasteri është shtuar po ashtu se janë duke punuar për të rregulluar shërbimet që ofrohen në institucionet shëndetësore.

“MSH do t’i ofrojë këtij shërbimi krejt asistencën e saj për të përmirësuar shërbimet dhe nevojat brenda përgjegjësive që i ka”.

Nga SHSKUK-ja është thënë se ka pasur rritje të kërkesave për këtë medikament.
“Klinika e Onkologjisë është furnizuar me produktin Pembrolizumab konform planifikimit që ka bërë”.

“Klinika ka konfirmuar se nevojat për këtë produkt janë rritur ndjeshëm. Sipas kërkesës së tyre për rritje të sasisë së planifikuar, Sektori Farmaceutik ka realizuar porosi shtesë. Jemi në pritje të liferimit të këtij produkti”, ka thënë SHSKUK-ja për AP.

Edhe nga ky institucion është thënë se bordi i ri i SHKUK-së është duke punuar në këtë drejtim.

“Menaxhmenti i emëruar së fundmi është duke punuar intensivisht për të hartuar protokollet unike në bazë të të cilave do të bëhet trajtimit”.

Ndërsa kanë shtuar se, “përshkrimi i terapisë do të bëhet vetëm përmes konsiliumeve mjekësore të cilat do të jenë kompetente për përshkrim të terapisë onkologjike”.
Kjo klinikë ishte ballafaquar edhe me probleme të tjera me 6 korrik pas reshjeve të shiut ishin ndërprerë shërbimet ndaj pacientëve me radioterapi.

Kjo për arsyeje se reshjet e shumta atmosferike kishin depërtuar në bodrumin e kësaj klinike, duke e bërë kështu të dal jashtë funksionit gjithë aperaturën e radioterapisë.

Në këtë klinikë brenda 24 orësh, shërbime marrin rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Klinika e Onkologjisë i ka rreth 60 shtretër dhe vazhdimisht ballafaqohet me mungesë të barnave.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco