Kurti e Vuçiç kthehen më të armiqësuar në Bruksel!

Kurti e Vuçiç kthehen më të armiqësuar në Bruksel!

14:47, 10/08/2022

Prej takimit të Berlinit që e organizoi kancelari gjerman ka pasur tensione mes dy palëve përfshirë ngjarjet e fundit në veri.

Negoaciatorëve, përpara se të arrijnë ndonjë rezultat në bisedime do t’u duhet ta ndreqin atmosferën mes Kryeministrit të Shpresës dhe Presidentit të frikësimit, siç e quajti Kurtin vetën dhe Vuçiqin.

E ofendojnë njëri – tjetrin, por kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen mes vete – pasi faktori ndërkombëtar ka marrë përsipër për ta rregulluar marrëdhënien e komplikuar Kosovë -Serbi.

Dy politikanët u përballën për herë të parë më 14 shkurt 2020, në Mynih të Gjermanisë në një konferencë të sigurisë. Aty Kurti dhe Vuçiq s’u ulën ballë për ballë për dialog, por në fjalimet e tyre e trajtuan edhe njëri -tjetrin.

Saktësisht, fjalimi i Kurtit e kishte ngjallur reagimin e Vuçiqit, pasi kreu i ekzekutivit kosovar thoshte se “s’duhet të ketë presidentë rreth hartave”, pos te Vuçiqi, aludonte edhe te presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në regjionin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jenë tre parime në këtë dialog për të shëruar plagët. E para – s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta – s’ka dialog me harta, dhe së treti – pa presidentë rreth hartave”, kishte thënë Kurti.

Pas kësaj, Vuçiq kishte deklaruar se “tash e di kush është Kurti”, ishte përshtypja e tij e parë, në formë ironizuese e quante edhe “Hegel”, (filozof i madh gjerman) – pritej që ata të takoheshin – por Qeveria Kurti 1 s’kishte jetëgjatësi, kësisoj takime për vitin 2020 s’ka pasur më.

Por takimet ishin rezervuar për vitin 2021 ashtu siç populli i Kosovës e kishte ndarë mendjen t’ia jepte pushtetin Kurtit, një nga motivet edhe për çështjen e dialogut – për të cilin Kurti predikonte se “çdo gjë ishte bërë gabim”, përkundër kësaj, më 14 shkurt – pas fitores, bisedimet me Serbinë i vendosi si prioritetin e shtatë.

Kurti si pushtetar u takua dy herë me Vuçiqin në Bruksel gjatë muajve të verës. Pos tyre në tavolinë ishin edhe dy ndërmjetësuesit, Miroslav Lajçak, emisar i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, si dhe Josep Borrell, Shef i BE-së për Politikë të Jashtme dher Siguri.

Takimi i parë ndodhi më 15 qershor, 2021 – pasi mbaroi, Borrell doli jo i kënaqur me rrjedhën – e pranoi; “dialogu do të jetë i vështirë”.

“Ne e dimë se ky dialog nuk do të jetë i lehtë, por ky proces dhe përkushtimi i sinqertë nga të dyja palët është i nevojshëm për të mirën e popullit të Kosovës dhe Serbisë. Le të jemi të qartë – dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes europiane për të dyja vendet”, kishte thënë Borrell.

Aty në tryezën e Brukselit, Kurti i kishte katër propozime, në mesin e tyre edhe një marrëveshje që i bën dy shtetet të zotohen që s’do ta sulmojnë njëra tjetrën.

Pos këtyre propozimeve, Kurti e kishe pyetur Vuçiqin “kur do ta njihni Kosovën”, presidenti i Serbisë ishte përgjigjur “kurrë”.

“Ka shpërthyer Kurti më pas”, e ka përshkruar Vuçiq versionin e tij për takimin me Kurtin.

“U ra dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të korrikut dhe shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, u ka thënë Vuçiq, gazetarëve.

Po, takimi tjetër ka ndodhur në korrik – siç ishte planifikuar. Por kësaj radhe Kurti nuk kishte shkuar duar-zbrazur, me vete i kishte marrë edhe tri libra.

Këto libra Vuçiq nuk i pranoi – madje i cilësonte provokim. Ndërkaq, për Kurtin ato libra kishin qenë të vërteta historike, flisnin për gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë fundit të shekullit 18.

“Ndërkombëtarët nuk po mund të besojnë që Kurti po flet për ngjarje të shekujve të kaluara”, kishte thënë Vuçiq.

Gjatë atij takimi kishte veç një pajtim; që të takohen përsëri – takime ballë për ballë më s’ka pasur. Por një takim i tillë pritet të ndodhë më 18 gusht, vetëm 19 ditë pas tensioneve në Veriun e Kosovës për reciprocitetin e dokumenteve ku serbët lokalë bllokuan rrugët me barrikada. Pra takim që vjen 13 ditë para se të hyjë në fuqi recipcoriteti për dokumente, më 1 shtator – datë e shtyrë nga Qeveria e Kurtit me kërkesë të ambasadës amerikane në Prishtinë.

Situata aktuale është në një mes ndërmjet historisë kombëtare dhe të ardhmes së kërkuar nga ndërkombëtarët.

“Për ne, Bashkimin Evropian, është e rëndësishme të nënvizojmë se e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre. Prandaj, ne presim që të dy palët të punojnë së bashku për të kapërcyer të kaluarën dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis tyre”, kishte thënë Lajçak më 19 korrik, pas takimit Kurti-Vuçiq.

Por në këto takime Serbia po e kërkon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – marrëveshje e nënshkruar në Bruksel, por që e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese në Kosovë.

Asociacionin Serbia e kërkoi edhe në takimin që e pati me Kurtin në prani të presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

“Sigurisht, ne do të vazhdojmë dialogun, vetëm se tema e parë duhet të jetë Asociacioni, ashtu siç ishte shkruar në deklaratën e BE-së”, kishte theënë presidenti destruktiv serb pasi e takoi Kurtin në prani të dy liderëve evropianë.

Por Kurti asociacionin e ka refuzuar disa herë, madje kundër tij ka protestuar si opozitar.

“Nuk do të ketë asoacionin njëetnik”, ka thënë Kurti së fundmi.

Ndër tjerash, gjatë këtij viti Kurti e ka takuar vetëm njëherë Vuçiqin, në një darkë joformale në Berlin të organizuar nga emisari evropian Miroslav Lajçak.

“Mirëpresim mundësinë për diskutime rreth dialogut, në një darkë joformale, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, në Berlin. Faleminderit Qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, kishte thënë Lajçak

Po, takimet në nivel kryenegociatorësh kanë vazhduar – kanë qenë të shpeshta e që rezultuan me dy marrëveshje, atë për targa më 30 shtator 2021, si dhe e fundit për energjinë.

E për t’u implementuar marrëveshjet e arritura kryenegociatorin kosovar Besnik Bislimin e ka kapluar mungesa e gjumit, këtë e ka treguar shefi i tij Albin Kurti.

Probleme me gjumin shpesh është raportuar të ketë pasur edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, këtë e ka treguar kryeministrja serbe Anna Brnabiq.

Gjumë ka arsye të mos ketë, tash kur politikanët në Kosovë dhe Serbi po e përmendin luftën si opsion.

Një diskurs i tillë ishte i pranishëm më 31 korrik, kur ka pasur tensione në Veriun e Kosovës. Si Kurti ashtu edhe Vuçiqi kishin thënë se “ka qenë shumë afër konfrontimi”.

Në një situatë të këtillë do të ndodh takimi i 18 gushtit, pra para 1 shtatorit – data kur hyjnë në fuqi masat e reciprocitetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco