PDK: Pushteti i Kurtit po përpiqet sërish ta shtrenjtojë rrymën, do ta kundërshtojmë

PDK: Pushteti i Kurtit po përpiqet sërish ta shtrenjtojë rrymën, do ta kundërshtojmë

07:38, 10/08/2022

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se sot ka pranuar Aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

Tahiri vlerëson se pushteti i kryeministrit, Albin Kurti, po lejon sërish rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke ua shtuar e shumëfishuar këtë barrë qytetarëve.

“Zyra e Rregullatorit për Energji paska pranuar kërkesën nga KESCO për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale. Kjo është faza e parë e përpjekjes së qëllimshme dhe të sinkronizuar të pushtetit të Albin Kurtit, që të lejojë rritjen e serishme të çmimit të energjisë elektrike, duke ua shtuar e shumëfishuar këtë barrë të padrejtë qytetarëve”.

“Përderisa debati rreth shtrenjtimit të padrejtë të çmimit të energjisë për afër 400 mijë familje kosovare ende nuk është mbyllur dhe një çështje e tillë është subjekt i shqyrtimit gjyqësor, paralelisht me kohën kur çdo produkt esencial për mbijetesë është shtrenjtuar shumëfish duke e bërë koston e jetesës të papërballueshme për qytetarë, guximi për t’ia mësyrë shtrenjtimit të energjisë elektrike është iluzion i këtij pushteti që i sheh qytetarët e Kosovës si të nënshtruar përballë tij dhe në funksion të tij”.

Tahiri, mes tjerash, thotë se çdo përpjekje për të shtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike do të hasë në kundërshtimin e PDK-së.

“Kjo mësymje në kurriz të qytetarëve, përveç që është papërgjegjësi, është edhe irracionalitet. Ftoj pushtetin që të përmbahet nga një “guxim” i tillë, sepse qytetarët janë duke e prekur fundin e mundësive të tyre për të mbijetuar në rrethanat aktuale. Çdo përpjekje për të shtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike e për t’ua shtuar këtë barrë qytetarëve, do të hasë në kundërshtimin tonë të plotë dhe të pa kompromis” ka shkruar Tahiri në Facebook.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco