Ekspertët: Kosova dhe Serbia mund të kenë luftë ‘hibride’, jo klasike

Ekspertët: Kosova dhe Serbia mund të kenë luftë ‘hibride’, jo klasike

14:37, 09/08/2022

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë, kanë mohuar mundësinë e një lufte klasike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka paralajmëruar dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ata kanë vlerësuar se mundësia e një agresioni serb në veri është minore.

Sipas tyre, në mes të dy shteteve mund të ketë luftë diplomatike ose luftë hibride të Serbëve në veri, por jo luftë ushtarake.

Profesori i marrëdhënieve, Dritëro Arifi, ka thënë për gazetën Nacionale se intervenimi i Serbisë në Kosovë pamundësohet nga prezenca e NATO-s.

“Nuk besoj që mund të këtë luftë klasike në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç është rasti Rusi-Ukrainë, për shkak se Serbia nuk është e gatshme për një gjë të tillë, ngase këtu ende është KFOR-i (NATO). Kjo ia pamundëson Serbisë çfarëdo vendimi eventual për rinisjen e ndonjë lufte. Prandaj, nuk besoj se mund të këtë luftë klasike për shkak të rrethanave që janë krijuar në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, krejt çka mund të bëjë Serbia, është krijimi i tensioneve në veri të vendit.

Ai ka treguar se këtë mund të bëjë për të përfituar sa më shumë në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

“Mund të kemi tension apo luftë hibride vetëm në veri. Pra, mund të kemi sulme terroriste ndaj policisë, mosdëgjueshmëri të civilëve serbë ndaj institucioneve qendrore, sabotime, etj. Mund të ndodhë një tensionim i tërësishëm i veriut të Kosovës, e për të cilin po mendoj se Serbia është e interesuar vetëm për këtë, në mënyrë që të arrijë ndoshta ndonjë përparësi në procesin e dialogut për të marrë diçka më shumë në veri të Kosovës”, është shprehur ai.

Rusia / Rreziku nga "ariu rus", Kurti akuzon Rusinë se dëshiron luftë në Kosovë

Luftën si të pamundur në mes të Serbisë dhe Kosovës e sheh edhe drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci.

Ai ka vlerësuar se pavarësisht dëshirave të disa individëve në Serbi dhe Rusi, kjo luftë është gati e pamundur.

“Sot, lufta me Serbinë është diplomatike dhe jo e karakterit ushtarak, ndërsa mundësia e agresionit ndaj Kosovës është minore, në mos e pamundur, pavarësisht dëshirave që ndonjë kokëkrisur mund të ketë në Beograd apo Rusia. Kosova, përpos prezencës së KFOR-it është e rrethuar me fqinjë, që përpos Serbisë, të gjithë janë anëtarë të NATO-s”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, Ballkani më nuk është ai i viteve të 90-ta, që karakterizohej nga luftëra të shumta.

“Gjeopolitika e tanishme e Ballkanit, nuk është ajo e viteve të 1990-ta, dhe ky është një avantazh madhor për vendin tonë, i cili duhet të materializohet me politikë të mençur, së pari ndaj qytetarëve të komunitetit serb të Kosovës, të cilët duhet te ndihen si në shtëpinë e tyre, ashtu edhe ndaj Serbisë, e cila është duke tentuar ta dëmtojë këtë shtëpi”, është shprehur Peci.

Kurti po i bën presion Perëndimit

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka deklaruar për gazetën Nacionale se kryeministri po bën mirë që paralajmëron mundësinë e intervenimit të Serbisë në Kosovë.

Sipas tij, pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk janë ndalur asnjëherë.

“Edhe në strategjinë ruse për Ballkanin ceket jo vetëm mundësia e ndikimit gjeostrategjik, apo të ndikimit të Rusisë në Ballkan, por tash edhe me mundësia e luftës. Ata janë shumë agresivë, ku Rusia përmes aleatëve të vet, në këtë rast të Serbisë, përçojnë jo vetëm mesazhe kërcënuese, por edhe mundësinë e një konflikti që mund të ndodhë në një të ardhme, nëse situata nuk shkon si duhet në dialog. Kështu që, një mundësi e tillë është çdoherë e hapur dhe e mundshme”, është shprehur Ibishi.

Ai ka thënë se përgjigjja që ia ka dhënë NATO shtetit serb ka qenë adekuate.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i tha presidentit serb se NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti. Ajo ishte një përgjigje jo vetëm diplomatike, por edhe ushtarake. Shqetësuesi është fakti se liderët evropian po janë shumë konfuz dhe shpesh reciprocitetin po e kushtëzojnë me Asociacionin. Pra, vetëm ndjellin mundësi konflikti”, është shprehur ai.

Kurse, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për gazetën se deklarimet e Kurtit mund të jenë edhe si presion ndaj perëndimit.

“Deklaratat e kryeministrit normalisht se mund të sjellin mendime negative dhe në sensin e asaj se Kosova edhe pas 23 vite investim nuk po mund të stabilizohet, pavarësisht se fqinji verior është vendi më destabilizues në Ballkan. Kjo tregon një lloj mosqëndrueshmërie të institucioneve tona karshi problemeve që janë krijuar në veri të Kosovës. Por, nga ana tjetër, kjo është edhe sinial për perëndimorët që të zgjohen nga gjumi dhe t’i bëjnë presion Serbisë që ta njohë Kosovën”, është shprehur ai.

Pse deklaratat e kryeministrit mund të jenë të dëmshme?

Si problematike deklaratat e kryeministrit i kanë parë ekonomistët. Ata kanë thënë se deklaratat për mundësinë e luftës në Kosovës mund të ndikojnë keq të investitorët e jashtëm.

Ish-drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Ilir Ibrahimi, ka thënë se këto paralajmërime mund t’i trembin edhe turistët.

“Nuk e kuptoj se si kryeministri në të njëjtën ditë mund të deklarojë se vendi kërcënohet nga lufta, dhe ndërkohë në mbrëmje të shkojë dhe të vallëzojë në një festival ndërkombëtar, i cili përveç të rinjve kosovarë, ka sjellë edhe vizitorë nga mbarë bota. Deklarimet e kryeministrit merren seriozisht sepse supozohet se ai ka informata të dorës së parë. Ato kanë efekt te qytetarët, por edhe në arenën ndërkombëtare, si te vizitorët, ashtu edhe te investitorët. Nëse do të kishte ndonjë rrezik lufte, reagimin e parë për ndonjë mobilizim do ta kishte bërë KFOR. Një gjë të tillë nuk e kemi parë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, Kosova rrezikohet nga një krizë ekonomike.

“Atëherë pse bëhen këto deklarata nga kryeministri kur dihet që ato kanë vetëm efekte negative, sidomos kur janë të pabaza? Kosova nuk rrezikohet nga lufta. Kosova rrezikohet nga një krizë ekonomike dhe një kollaps energjetik. Të dyja këto kërkojnë menaxhim dhe lidership dhe nuk mund të tejkalohen me gjuhë luftënxitëse”, është shprehur ai.

Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka përmendur kompani amerikane që kanë shprehur shqetësime të tilla.

“Përhapja e opinionit, në mediat globale, që në Kosovë mund të këtë luftë, nuk ja sjell asnjë dobi Kosovës. Kompani të interesuara për investime në Kosovë, në mesin e tyre një kompani amerikane që planifikon të hap degë në Kosovë, në muajt në vijim, me kanë kontaktuar në ditët e fundit, të shqetësuara nga ajo që kanë lexuar. Kosova edhe pa këto deklarata, ka një imazh të vendit të konfliktit dhe te rrezikut të lartë politik, gjë që ka frikësuar shumë kompani të investojnë në Kosovë. Nuk është e dobishme që tani ta ushqejmë edhe me tutje këtë percepcion”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Një ditë më parë, në një intervistë për gazetën “La Repubblica”, kryeministri Albin Kurti nuk e mohoi mundësinë e një lufte në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, ka deklaruar Kurti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco