Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ekziston rreziku për luftë në Kosovë.
Këtë deklaratë ai e bëri për gazetën itaiane “La Republicca”, ku tha se pas Serbisë qëndron Rusia.
Deklarata e tij ngjalli reagime të shumta.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e quan të pamatur këtë deklaratë të Kurtit.
Ajo thotë se kjo deklaratë e dëmtoi shumë Kosovën, pas vëmendjes në media ndërkombëtare si vend i paqes e kulturës, për shkak të festivaleve të mbajtura së fundmi në vend.
“Deklarata e pamatur e kryeministrit lidhur me luftën eventuale në Kosovë ka shpërqendruar vëmendjen nga përpjekja për të ndryshuar këtë perceptim ndaj vendit tonë. Imazhi i Kosovës si vend i paqes e i kulturës i përfaqësuar së fundmi në shumë media ndërkombëtare në saje të organizimit të shumë ngjarjeve të rëndësishme kulturore, u dëmtua nga një deklaratë e tillë, e cila përveçse shqetësuese, është edhe miope për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, deklaron ajo.
Sipas Halimit, kjo deklaratë forcon bindjet e investitorëve të huaj për mosbesim për investime në Kosovë, si një vend në krizë të thellë ekonomike.
“Partia në pushtet ende nuk ka arritur të kuptojë rëndësinë e përgjegjësisë së fjalës e veçanërisht drejtuar opinionit ndërkombëtar. Në kohën kur vendi ynë gjendet në krizë të thellë ekonomike dhe investimet e huaja vazhdojnë të shohin me mosbesim Kosovën e si vatër krize, kjo deklaratë ia sforcon më tej këtë bindje”, thekson ajo.
Ajo shton se kryeministri me narracion popullist po vazhdon ta dëmtojë vendin.
“Andaj, qeverisja e vendit kërkon urtësi dhe vizion të qartë, por fatkeqësisht narracioni popullist i kryeministrit vazhdon të dëmtojë vendin vetëm për konsum të brendshëm politik”, potencon Sibel Halimi, zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së LDK-së./blic
© SYRI.net