Vrasja e 22-vjeçarit në Lipjan, të dyshuarit ende në arrati

Vrasja e 22-vjeçarit në Lipjan, të dyshuarit ende në arrati

12:44, 09/08/2022

Të shtëna me armë zjarri pati mbrëmjen e së premtes në qytetin e Lipjanit.

Si pasojë e këtyre të shtënave humbi jetën një 22 vjeçar, kurse u plagosën dy të tjerë.

Nga Policia e Kosovës si fillim u theksua se pas një konflikti verbal dhe fizik, dy të dyshuarit kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të tre personave dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Viktimat nga ky rast janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku njëri prej tyre duke mos i përballur lëndimet e marra ka ndërruar jetë.

E disa ditë pas kësaj ngjarje të rëndë në Lipjan, të dyshuarit në këtë rast vazhdojnë që ende të jenë në arrati.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Po ashtu u theksua se lidhur me këtë rast është duke vazhduar ndërmarrja e veprimeve hetimore në mënyrë intesive.

“Lidhur me këtë rast është duke vazhduar ndërmarrja e veprimeve hetimore në mënyrë intensive. Të dyshuarit ende janë në arrati”,u tha në përgjigjen e prokurorisë.

Nga Policia e Kosovës në kuadër të ngjarjes kanë deklaruar se rasti është cilësuar si vrasje e rëndë dhe lëndim i rëndë trupor.

“VRASJE E RËNDË & LËNDIM I RËNDË TRUPOR-Rr. L. Prizrenit, Lipjan 05.08.2022-23:40. Është raportuar se pas një konflikti verbal dhe fizik, dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë qëlluar me armë zjarri tre viktima meshkuj kosovarë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Viktimat janë dërguar në QKUK, ku njëri prej tyre duke mos i përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Njësit relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ku si prova materiale janë sekuestruar, tri gëzhoja, një predhë dhe një fragment metali. Dy të dyshuarit gjenden në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhej në raport.

Ndryshe gjatë muajve të fundit ka patur raportime të shumta për të shtëna me armë zjarri në gjithë vendin.

Si pasojë e këtyre të shtënave humbën jetën disa persona.

Ka më pak se dy javë kur një vrasje e rëndë është raportuar në fshatin Baks të Skenderajt, ku si pasojë e gjuajtjes me armë një person ka humbur jetën.

Në shumë raste, Policia e Kosovës ka bërë thirrje në drejtim të qytetarëve për mospërdorim të armëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco