Kritika ndaj emërimit të nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, a mund të ngritet si çështje në Bruksel?

Kritika ndaj emërimit të nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, a mund të ngritet si çështje në Bruksel?

12:19, 09/08/2022

Katër ditë më parë u mësua se nënkryetar i ri i Kuvendit të Serbisë do të jetë Bozhidar Deliq.

Ky konfirmim menjëherë ngjalli reagime të shumta në vendin tonë.

Kjo pasi, Deliq dyshohet të kishte qenë pjesëmarrës në masakrën e Mejës dhe disa masakrave të tjera në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Si një prej gjeneralëve kryesorë të ushtrisë serbe e një prej personave më të afërt të kasapit të Ballkanit, Millosheviçit, dyshohet gjithashtu të ketë qenë i përfshirë në krimet që janë kryer ndaj popullatës civile shqiptare në rajonin e Gjakovës.

Shpërblimi nga Vuçiq

Në vend se të gjykohet për krime, ai tashmë është shpërblyer nga Aleksandër Vuçiq me një post të lartë në legjislativin serb, pra atë të nënkryetarit.

Ky emërim i ka shqetësuar familjarët e viktimave që kanë pësuar nga ai.

Për këtë ka folur edhe Gjokë Sokoli, që në muzeun e tij personal ruan edhe gëzhojat e kalibrit të madh të predhave.

Sipas Sokolit, ish-ushtaraku i Slobodan Millosheviqit, ka pasur rol edhe në masakrën e Mejës, masakër në të cilën ai humbi tre vëllezër, nipin dhe djalin e axhës.

Tutje thuhet se Bozhidar Deliq me brigadën e motorizuar “549” ishte përgjegjës që kjo zonë të shkrumbohej me artileri të rëndë.

“Ky (Deliq) ka marrë pjesë edhe në Mejë edhe në qytetin e Gjakovës edhe flitet që ka marrë pjesë edhe në masakrën e Krushës. Ky është krimineli numër një dhe prandaj e meriton dënimin”, u shpreh Sokoli për RTV Dukagjinin.

Gjenerali në pension, Bozhidar Deliq, me brigadën “549” ka vepruar në zonën e Prizrenit, Rahovecit, Therandës dhe Dragashit, megjithase vendlindja e tij është Gjakova, saktësisht fshati Lugbunar, pak kilometra larg Mejës.

A mund të kërkohet shkarkimi i tij?

Më 18 gusht është takimi i radhës në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Kjo veç është konfirmuar edhe nga zyra e Bashkimit Evropian.

“Mund të konfirmoj se pasi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën e tij dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajčák për të diskutuar rrugën përpara në Dialogu i Beogradit Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thuhej në përgjigjen e BE-së për Nacionalen dhënë ditë më parë.

Ndërkaq, kryeministri Kurti e ka pranuar se nuk do të flasë me Vuçiqin në Bruksel për reciprocitetin.

A mund të jetë temë diskutimi Bozhidar Deliq? – Mbetet të shihet. Kujtojmë se kryeministri shpeshherë ka qenë kritik ndaj palës serbe sa u përket këtyre emërimeve, ku ushtarakët serbë të dyshuar për masakra në Kosovë, shpërblehen me pozita të larta në Serbi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco