Mbijetesa e grave të kthyera nga Siria me asistencë sociale

Mbijetesa e grave të kthyera nga Siria me asistencë sociale

11:54, 09/08/2022

Me 100 euro ndihmë nga shteti, A. A. mban dy fëmijët e saj të rikthyer nga zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Ndonëse për situatën që gjendet nuk ankohet, ajo thotë se është falënderuese për mbështetjen morale që merr, sidomos nga prindërit e saj, me të cilët edhe jeton.

Sipas avokates së saj, Merita Bajraktari, gruaja, bën jetë të vështirë, për shkak se është e varur nga ndihma prej 100-eurove nga shteti, e nuk është e punësuar. Sipas Bajraktarit, punësimi i saj, është çështje problematike për shkak të paragjykimeve e diskriminimeve, me të cilat përveç klientes, përballen edhe gratë e tjera të kthyera nga vatrat e luftës.

“Si ndihmë nga shteti, i merr vetëm 100 euro dhe me këto para mundohet t`i mbulojë të gjitha shpenzimet, për vete dhe fëmijët. Nuk ankohet se nuk ka mbështetje nga prindërit, por sido që të jetë, konsideroj se është më shumë një mbështetje morale, që ka tepër rëndësi, por jo edhe materiale, pasi që aq i kanë mundësitë” – thotë Bajraktari, e cila shton se klientja e saj, mospunësimin e deritanishëm e mosangazhimin në këtë drejtim e arsyeton me kujdesin ndaj fëmijëve.

“Sipas meje, punësimi i kësaj kategorie të shoqërisë sonë është mëse problematik, pasi që e dimë, fatkeqësisht, se sa shumë ka paragjykime dhe diskriminim, në shoqërinë tonë, për çështje punësimi” – thotë avokatja Bajraktari.

Avokatja Merita Bajraktari, thotë se brenga e klientes së dikurshme të saj, është burri i saj, i cili është në vuajtje të dënimit për pjesëmarrje në luftërat e huaja. “Ajo mbahet me shpresën se pjesa më e madhe e dënimit të bashkëshortit të saj ka kaluar derisa kanë mbetur edhe një vit e gjysmë deri në lirimin e tij të plotë”.

Burri i të rikthyerës është në mesin  e 25 të burgosurve, që janë në vuajtje të dënimit në institucionet korrektuese.

Sipas Florent Gashit, zyrtar për Informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës, 19 prej tyre janë te dënuar ndërsa 6 të paraburgosur. Sipas Gashit, që nga viti 2018 e gjerë më sot, të dënuarit janë trajnuar nga ekipet profesionale në programe të ndryshme.

“SHKK aplikon programet individuale te përgjithshme dhe disa te veçanta siç janë: Shkollimi i mesëm profesional ne QK. Dubravë, Aftësimi dhe trajnimi profesional (saldim, ujësjellës) etj. Programe për sjelljet njohëse kognitive, Menaxhimi i zemërimit nga programi EQUIP, aktivitete sportive dhe rekreative për të zhvilluar punën ekipore, mirëbesimin dhe vet përmbushjen pa iu nevojitur dhuna,  angazhime pune dhe mjeshtri artizanale. Të gjitha programet dhe aktivitetet zhvillohen për të gjithë të burgosurit duke mos u ndërlidhë me veprën” – ka thënë Gashi.

Të burgosurit të cilët kyçën në programet e rehabilitimit dhe ri-integrimit vijojnë proceset me vullnetin e tyre. Në Institucione Korrektuese ofrohen programe të ndryshme trajnuese për axhustator, hidroinstalim, punë brenda zonës së banimit, po ashtu shkollimi i mesëm profesional.

Me gjithë përgatitjen e tyre për jetën pas përfundimit të dënimit, thotë Gashi, Shërbimi Korrektues i Kosovës, nuk ka kompetencë të monitorimit.

“Mirëpo nëse i burgosuri lirohet me kusht atëherë për pjesën tjetër të mbetur mbikëqyrja kalon tek Shërbimi Sprovues i Kosovës. Njëkohësisht nëse te burgosurit përfundojnë dënimin me lirim te rregullt apo përfiton lirim të më hershem nga Gjykata, të njëjtit kalojnë në mbikëqyrje të Divizionit për parandalim dhe re integrim të MPB-së” – ka thënë Florent Gashi, i cili thotë se dëshmi për rezultatin e programeve që kanë është se përsëritës si recidivist në burg, për një vepër tjetër është vetëm një person.

Por, për ri-integrimin e personave të kthyer nga zonat e luftës, në pyetjet e përcjella nuk janë përgjigjur nga Komuna e Gjilanit.

A.A.  nuk është e vetmja e kthyer nga luftërat në Siri, që është e varur nga asistenca që merr nga shteti. Në Klinë, janë dy familje të rikthyera, e gjendja e tyre, sipas zyrtarëve në këtë komunë, përshkruhet si jo e mirë.

Më të vështirë situatën e ka një nënë e katër fëmijëve. Sipas Vlora Tafilit, nga Zyra për Informim, ajo jeton në kushte të dobëta banimi.

“Të hyrat në këtë familje janë vetë një pension i paaftësisë që e gëzon familja, të hyra të tjera nuk kanë” -ka thënë Tafili.

Asistencën sociale e ka të ardhurën e vetme mujore edhe familja e V.B. nga rrethi i Klinës. Për dallim nga familja e N.H. fëmijët e V.B.  vijojnë mësimet, derisa nga zyrtarja e Komunës së Klinës, standardi jetësor i tyre, përshkruhet si i mesëm.

Nga viti 2019 në Kosovë janë kthyer disa familje nga zonat e luftës. Programet e Ministrisë së Punëve të  Brendshme synojnë që gratë të kalojnë në procesin e vetëpunësimit në ekonomitë e tyre familjare.

Kosova është në mesin e vendeve më të varfëra në Evropë dhe skemat sociale nuk garantojnë mirëqenie të qëndrueshme për familjet në nevojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco