‘Frika’ e çuditshme e Kurtit nga lufta

‘Frika’ e çuditshme e Kurtit nga lufta

11:17, 09/08/2022

Veterani numër ‘60001’ i UÇK-së, Albin Kurti, përsëri ka përmendur luftën në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”. Por, historia e tij me këtë fjalë nuk fillon prej ditës së djeshme. Ajo ka një histori të gjatë - shumë më e gjatë se kërkesa e tij në Bruksel që Serbia të zotohej që të mos sulmonte ushtarakisht Kosovën - që meriton vëmendje.

Kësaj here, kryeministri i Kosovës po përmend potencialitetin e luftës në Kosovë brenda kontekstit të luftës së Rusisë me Ukrainën.

Por, lufta nuk kishte qenë fjalë aspak e huaj as para 24 shkurtit 2022.

“Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të pansllavizmit që Kremlini e ka, ishte Ukraina. Nëse kemi episod të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, do të jenë shumë të larta”, ishte shprehur Kurti.

Por, ndërtimin e luftës me episode në mendjen e tij, kryeministri e kishte shprehur [megjithëse në mënyrë më enigmatike] edhe në një moment gjatë vizitës së tij të gjatë në Greqi në muajin korrik.

“Unë nuk them që ata (Serbia) do të sulmojnë këtë muaj apo muajin tjetër, nuk mendoj se ka gjasa të ndodhë. Ajo që më brengos mua është se nëse pas Ukrainës kemi edhe një konflikt, edhe një “spill over” diku tjetër, atëherë Ballkani do të jetë episodi numër tre. Nuk mendoj që jemi episodi numër dy. Deri më tani kemi pasur episodin numër një në Ukrainë, parandjenja më thotë që ne me siguri do të jemi episodi numër tre”, ishte shprehur kryeministër Kurti.

Kurti me “luftën” si opozitar

Kurti ishte frikësuar nga lufta edhe gjatë kohës së gjatë të kaluar në opozitë.

Në muajin shtator 2016, atëbotë opozitari i zëshëm do të trazonte Kosovën e traumatizuar nga dhimbjet e luftës pikërisht me shtrimin në publik të një mundësie të tillë.

Jetlir Buja / Parandjenja nga Greqia: 'Dorëheqja' e kryeministrit është dhënë

“Në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë”, ishte shprehur Kurti.

Në po të njëjtin vit, opozitari Kurti kishte përmendur luftën si mundësi edhe në një tjetër intervistë derisa fliste për të këqijat e Asociacionit [Zajednicës] dhe Demarkacionit me Malin e ZI:

“...brenda 4-5 viteve në Ballkan ka më shumë gjasë që të krisë lufta se sa të mos bëhet luftë”, kishte argumentuar Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes e kishte përmendur luftën edhe pas dy vitesh, më 2018, gjatë kundërshtimit të idesë së korrigjimit të kufijve.

“Të flasësh për ndarje dhe ndërrim territoresh do të thotë të përgatitesh për luftë të re”, kishte deklaruar ai.

‘Lufta’ në pushtet

Kurti është qortuar nga komuniteti i biznesit për trembjen e investitorëve të mundshëm në vend. Derisa Kosova i ka investimet e njëmendta të huaja direkte (pa njehur diasporën, dhe investimet e tyre në patundshmëri) gati zero, Serbia në vitin 2021 ka pasur investime deri në 4 miliardë.

Kryeministri i vendit gjatë verës së vitit 2021, kishte kërkuar në Bruksel të nënshkruhej një zotim me Serbinë për “mos-sulmim ushtarak” çka kishte çuditur opinionin në vend, por edhe jashtë vendit.

Kërkesa për një zotim të tillë, ishte përmendur edhe në takimet e radhës që kishte pasur Kurti me liderin serb dhe ndërmjetësin evropian.

Retorika e tij për luftën është shpeshtuar sidomos pas 24 shkurtit, kur Rusia kishte vendosur të bënte invazion në Ukrainë. Kurti kishte denoncuar vazhdimisht agresionin rus, duke paralajmëruar po vazhdimisht mundësinë e një eskalimi edhe në Ballkan.

Për këtë arsye, ai kishte bërë realitet një ide të propozuar nga presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, për formimin e një Fondi të Sigurisë – e i cili nuk dihet sa para ka mbledhur deri tash.

Kryeministri i Kosovës më 18 gusht do të udhëtojë për në Bruksel që të takohet sërish me presidentin e Serbisë dhe ndërmjetësin evropian. Deklaratat e tij të reja për luftën i japin peshë edhe më të madhe takimit në fjalë, megjithëse në qëndrimet e tij të mëhershme ai kishte kundërshtuar formatin e dialogut në Bruksel.

Në të kaluarën, kryeministri Kurti kishte akuzuar liderët që qeverisnin me vendin se po përshkallëzonin situatën në mënyrë që të fshihnin keq-qeverisjen e tyre në Kosovë. Nuk dihet nëse një kritikë e tillë do të qëndronte edhe në rastin e tij si pushtetar i ri i Kosovës me retorikë lufte.

Kujtojmë se KFOR-i pas tensioneve të 31 korrikut në veri të vendit kishte shprehur qëndrimin e qartë për të intervenuar në vendin tonë në rast se rrezikohej stabiliteti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco