​Rritja e çmimit, deklarohen nga fabrika për prodhimin e çimentos

​Rritja e çmimit, deklarohen nga fabrika për prodhimin e çimentos

10:36, 09/08/2022

Fabrika për prodhimin e çimentos është deklaruar lidhur me shtrenjtimin e çmimit të çimentos, një ditë pas protestës së bizneseve prodhuese të betonit para objektit të kësaj fabrike.

Përderisa përfaqësues të bizneseve po kundërshtojnë shtrenjtimin e çimentos, Sharrcem thotë se deri tek rritja e çmimit kanë ardhur për shkak të rritjes së kostove të energjisë në botë.

“Fabrika për prodhimin e çimentos Sharrcem blen energji elektrike në tregjet ndërkombëtare ku çmimi është shumëfishuar dhe kjo ndikon direkt në koston e prodhimit”, thuhet në komunikatën për media që Sharrcem ka lëshuar të martën.

Sipas Sharrcem, po monitorohen nga afër trendet dhe zhvillimet në Kosovë, për të ndërmarrë më pas masat e duhura.

“Rritja e shpejtë e kostove në tregun energjetik pasqyrohet në sfida me kostot dhe menaxhimin e rrezikut për sektorët që kanë më shumë nevojë për energji, sikurse është industria e prodhimit të çimentos. Kjo ndikohet më tej nga fakti që fabrika Sharrcem varet nga furnizimi me energji dhe niveli i përballueshmërisë së kostove nga tregu i hapur energjetik ndërkombëtar. Kjo rritje e paprecedentë e kostove mund të zbutet vetëm minimalisht me anë të përpjekjeve që po bën fabrika Sharrcem për të rritur efikasitetin dhe për të zvogëluar konsumin”, thuhet po aty.

Sharrcem deklaron se mbetet e angazhuar për të mbajtur stafin në punë.

“Fabrika për prodhimin e çimentos Sharrcem po përballet me këto sfida duke ndjekur politikë dinamike të çmimeve që të vazhdojë t’u shërbejë klientëve të vet, t’i vazhdojë operacionet dhe ta mbajë stafin në punë, duke i shtyrë përpara zotimet e veta në fushën e përgjegjësisë sociale korporative, pavarësisht klimës së pafavorshme aktuale të biznesit. Veç kësaj, fabrika Sharrcem mbetet e përkushtuar ndaj agjendës së vet të dekarbonizimit për të sjellë ndikim pozitiv tek komunitetet të cilave u shërben dhe në mjedisin ku vepron”, përfundon komunikata.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco