Maliqi: Shqetësuese dhe të papërgjegjshme mesazhet e Kurtit për situatën në Veri

Maliqi: Shqetësuese dhe të papërgjegjshme mesazhet e Kurtit për situatën në Veri

08:21, 09/08/2022

“Shqetësuese dhe të papërgjegjshme” i ka cilësuar njohësi i çështjeve politike Agon Maliqi, mesazhet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti lidhur me situatën në Veri të vendit.

Edhe pse sipas Maliqit rreziku prej “masave aktive” dhe “përpjekjeve ruse” për destabilizim ka ekzistuar prej vitit 2014, ai vlerëson se “për alarme të tilla mbështetësit e pushtetit të sotëm të shpërfillnin ose përqeshnin, sepse nuk ju përshtatej për kauzat opozitare”.

Ai ia ka kujtuar kreut të Qeverisë se në Kosovës NATO-ja ka mandat për ta ndalur Serbinë, e cila sipas tij, kjo e fundit “duket hezituese ndaj aventurave në të cilat po mundohet me i fut Rusia”.

Tutje, Maliqi thekson se liderët nuk duhet të merren me mesazhe të tilla, përkundrazi ata duhet ta qetësojnë situatën dhe të inkurajojnë paqen.

“Ti si lider leja mesazhet e tilla të komunikimit strategjik figurave dytësore, ndërsa vetë sh’tensionojë situatën, theksoje insistimin në paqe dhe ushqeje ndjenjën e sigurisë”, shkruan Maliqi në rrjetin e tij social Facebook.

Për Maliqin, Kurti me mesazhe të këtij lloji “po kërkon telashe” duke kritikuar njëherit edhe retorikën e tij.

“Për këtë arsye, të jeni të sigurt se retorika e tillë prej gojës së liderit të Kosovës është absolutisht acaruese për aleatët në NATO që janë garantë të sigurisë, sepse deklarata të tilla e zmadhojnë riskun”.

Arsyeja pse Kurti ka dhënë këtë mesazh sipas analizës së Maliqit është se “një popull në ankth sigurie është më lehtë i qeverisshëm dhe më i dëgjueshëm se një popull që preokupohet, ta zëmë, me shqetësimet ekonomike”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën e 8 gushtit ka thënë për Radio Evropa e Lirë se ka pasur rrezik të përshkallëzohej situata në Veri gjatë tensioneve të ditëve të para të gushtit.

“Rrezik ka pasur për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd. Pra, mbledhjet në Beograd dhe në Rashkë janë vendet dhe ngjarjet ku është planifikuar ai tensionim i situatës në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Madje, sipas kryeministrit, “rreziku ekziston” ende, “por ne bëjmë gjithçka që atë ta minimizojnë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco