Me retorikën për luftën Kurti ka trembur investitorët e huaj potencialë

Me retorikën për luftën Kurti ka trembur investitorët e huaj potencialë

08:02, 09/08/2022

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nga janari deri në shtator 2021, investimet e huaja direkte në Kosovë kanë arritur në 388 milionë e 800 mijë euro.

Por, një deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se në Kosovë mund të ketë luftë ka “trembur investitorët e huaj”, dhe mund ta zvogëlojë shifrën e lartcekur të investimeve në vend, derisa ka ngjallur reagime të shumta nga opozita.

Madje, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “Kurti e do krizën”, duke shtuar se e ëndërron protagonizmin tek paniku.

Ndërsa sipas analistëve dhe ekonomistëve, pa zgjidhjen e statusit final mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë se do të ketë investime nga jashtë në Kosovë.

Kurti, gjatë një interviste për Radio Evropa e Lirë, theksoi se “ka pasur rrezik të përshkallëzohej situata në Veri gjatë tensioneve të ditëve të para të gushtit”, duke shtuar se “rreziku ekziston” ende, “por ne bëjmë gjithçka që atë ta minimizojnë”.

Nga kjo deklaratë e Kurtit, sipas analistit politikë Nexhmedin Spahiut, investitorët potencialë mund të tremben.

Prandaj, thotë ai, “askush nuk dëshiron ta rrezikojë kapitalin e vet në një vend ku mund të shpërthej lufta”.

Megjithatë, Spahiu thotë se kryqeveritari kosovar ka edhe një arsye tjetër pse po flet për luftën.

“Kurti po përpiqet ta intrigojë opinionin perëndimor që të bëjë presion më të madh mbi Serbinë, që ky shtet është një aleat i madh i Rusisë. Sepse perëndimi i ndjen rrezikun nga Rusia, por nuk e ndjen nga Serbia, sepse është e vogël për perëndimin, por për Kosovën është mjaft e madhe”, tha Spahiu.

Për njohësin e çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliun, pa u arritur marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, askush nuk do t’ia mësyje Kosovës për të investuar.

“Do të isha personi më i lumtur që sot do të mund t’i numëroja 5 apo 10 investitorë të huaj që kanë ardhur në Kosovë, investitorët nga Kosova janë larguar edhe në të kaluarën, por edhe tani”, theksoi ai për AP.

“Unë shpesh kam thënë që Kosova është vendi më i sigurt për të investuar dhe në pyetjet e investitorëve të huaj se kush e siguron sigurinë në Kosovë, e kur thuhet se KFOR-i, vetvetiu dërgohet një mesazh që fati i lirës së Kosovës është në duart e miqve ndërkombëtarë”.

Përmendja e luftës nga Kurti, sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqit, e ka shqetësuar një kompani amerikane që planifikon të hap degë në Kosovë në muajt në vijim.

“Kosova edhe pa këto deklarata, ka një imazh të vendit të konfliktit dhe të rrezikut të lartë politik, gjë që ka frikësuar shumë kompani të investojnë në Kosovë. Nuk është e dobishme që tani ta ushqejmë edhe me tutje këtë percepcion”, ka shkruar në Facebook Rukiqi.

Abdixhiku për Kurtin: E do krizën, u bë lajm i mediave të huaja – jo për investime, po për luftë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pasi ky i fundit tha se ka pasur rrezik të përshkallëzohej situata në Veri gjatë tensioneve të ditëve të para të gushtit.

Kreu i LDK-së, ka theksuar se Kurti është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot, por sipas tij, jo për investime, jo për integrime, “por për luftë në Kosovë”.

Lumir Abdixhiku

“Kaq për mesazhin tonë nëpër botë”, ka shkuar Abdixhiku në Facebook.

“Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ka potencuar se “Kurti e dëshiron krizën”, duke shtuar se e ëndërron protagonizmin tek paniku.

“Sikurse Vuçiçi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol”

Çka thotë raporti i DASH-it për investimet e huaja në Kosovë?

Sipas raportit të DASH-it, Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por ky potencial është i kufizuar nga dështimi për të adresuar disa çështje serioze strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global; paqëndrueshmëria politike dhe ndërhyrjet në ekonomi; korrupsioni; furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë një mungesë të dukshme të zbatimit të kontratave.

“Aftësia e vendit për të mbështetur rritjen mbështetet ndjeshëm në mbështetjen financiare ndërkombëtare dhe remitancat. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe të qiradhënies janë përfituesit më të mëdhenj të investimeve të ndjekura nga shërbimet financiare dhe energjia”, thuhet në raport.

Sipas DASH-it, sektorët e ushqimit, IT, infrastrukturës dhe energjisë janë në rritje dhe ka të ngjarë të tërheqin investimet e reja.

Kosova po adreson gjithashtu sigurinë e saj energjetike duke rritur kapacitetin e saj të energjisë së ripërtëritshme dhe duke lehtësuar më shumë projekte të burimeve të ripërtëritshme të bankave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco